Gjergj Luca me Myftiun e Elbasanit në Xhaminë e Balliesit, “Arkitektura më e bukur fetare në botë”

Sipërmarrësi Gjergj Luca, ndonëse i besimit katolik, ka qenë gjithnjë pranë komunitetit mysliman të Elbasanit, duke kontribuar herë pas here me bujarinë dhe përkushtimin e tij. Ky angazhim është një shprehje e respektit të tij për besimin dhe për ata që përfaqësojnë tempullin e fjalës së Zotit, të cilët përpiqen të afrojë njerëzit dhe të bashkojë zemrat. Sepse ai nuk është thjesht një sipërmarrës, por një njeri me ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri për të bërë më të mirën, duke vlerësuar traditat dhe virtytet që janë simbol i qytetarisë dhe harmonisë ndërfetare në Elbasan, një qytet me tradita të pasura në të gjitha fushat.

Kësaj here, Gjergj Luca ka takuar Myftiun e Elbasanit, Agim Duka, me të cilin ka ndarë biseda të frytshme mbi kulturën dhe arkitekturën islame, si dhe mbi rëndësinë e Xhamisë së Balliesit si një monument i trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Luca vizitoi këtë fundjavë këtë kryevepër të arkitekturës elbasanase, e cila së fundmi është vlerësuar me çmimin “Arkitektura më e Bukur Fetare në Botë” nga konkursi ndërkombëtar “Building of the Year 2025”, organizuar nga “ArchDaily”.

“Arkitektura e saj hyjnore qëndron në krah të kulturës shpirtërore. Mirësevini në Elbasan, qytetin e kontrasteve dhe të tolerancës, vendin ku gjendet Xhamia e Balliesit, e vlerësuar ndërkombëtarisht për arkitekturën e saj të mrekullueshme”, – shkruan Luca në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me videon e vizitës në këtë monument unik të kultit.

Xhamia e Balliesit: Një rikthim në histori dhe një triumf i arkitekturës bashkëkohore

Xhamia e Balliesit, e njohur gjithashtu si Xhamia e Hasan Balizades, është një monument historik dhe fetar në Elbasan. E ndërtuar fillimisht në vitin 1608 nga Hasan Balliu, ajo u shkatërrua gjatë regjimit komunist në vitet 1970, duke mbetur vetëm mihrabi dhe një pjesë e murit deri në vitin 1978. Pas dekadash mungese, xhamia u rindërtua dhe përfundoi në vitin 2022, duke u bërë një shembull i shkëlqyer i ndërthurjes mes arkitekturës tradicionale islame dhe elementeve moderne.

Ky kombinim unik ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke e bërë Xhaminë e Balliesit një model të arkitekturës bashkëkohore fetare. Arkitekti Jurtin Hajro, në një komunikim publik, ka shpjeguar se projekti synonte të interpretonte dimensionin e kohës, një koncept thelbësor në parimet islame, përmes përdorimit të materialeve si bakri, i cili me kalimin e kohës fiton më shumë dinjitet dhe hijeshi.

Rindërtimi i Xhamisë së Balliesit nuk është vetëm një ringjallje e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Elbasanit, por edhe një dëshmi e aftësisë së Shqipërisë për të konkurruar në skenën ndërkombëtare të arkitekturës. Ky monument tashmë shërben si një urë lidhëse mes historisë dhe së ardhmes, mes besimit dhe artit, duke e vendosur Elbasanin dhe Shqipërinë në hartën e trashëgimisë kulturore botërore.

Albert Vataj

SHKARKO APP