Gjergj Luca: Në Marrakesh për të parashikuar fatin e të tjerëve, se fatin tim e shkruani ju me urime dhe mallkime
Çudirat e Gjergj Lucës nuk kanë të mbaruar. Edhe kësaj here ai ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të bërë pak humor politik, por edhe për të shpuar me ca shigjetime ironike fatin e Partisë Demokratike, “partisë së tij”, e cila sipas leximit të pëllëmbës nga një fallxhore marrakeshase, nuk i ka punët aspak mirë. Ndryshe vjen nga Maroku fati i Qorit dhe Shabës, sipas pëllëmbës së Lucës
“Nuk mund të rri pa parashikuar fatin e politikës tonë edhe këtu në Afrikë. E fillova me partinë time, vazhdova me Qorin dhe e mbylla me Shabën…
Tobenstrafkulla çfarë na pret mot në zgjedhje!”, shkruan ai në postimin që ka bërë, ku nëpërmjet një videoje realizuar në Marrakesh, një fallxhore ka lexuar në pëllëmbën e Lucës një fat jo të mirë për PD-në.
Siç ju ndoshta e dinit, Marrakeshi, ku Gjergj Luca shkoi për të lexuar fatin e zgjedhjeve është një nga qytetet më të njohura të Marokut, i famshëm për kulturën e tij të gjallë, tregjet e larmishme dhe arkitekturën e veçantë islame. I themeluar në shekullin e 11-të nga dinastia Almoravide, Marrakeshi ka një histori të pasur dhe është quajtur “Qyteti i Kuq” për shkak të ngjyrës së kuqe të ndërtesave të tij tradicionale.
Një nga atraksionet kryesore të qytetit është Medina, një zonë e mbrojtur nga UNESCO që përmban tregje të hapura (souks) ku shitësit ofrojnë gjithçka, nga tekstilet, erëzat, deri te suveniret e dorëpunuara, por edhe leximin e fatit. Një tjetër pikë e rëndësishme është Sheshi Jemaa el-Fnaa, një qendër e zhurmshme me artistë rrugësh, muzikantë dhe tregtarë të ushqimit.
Marrakeshi është gjithashtu i njohur për pallatet e tij si Palati Bahia dhe për kopshte si Kopshti Majorelle, i cili është kthyer në një destinacion të famshëm botëror falë ngjyrave të tij intensive dhe koleksionit të bimëve ekzotike. Kultura dhe mikpritja e njerëzve e bëjnë Marrakeshin një nga destinacionet më tërheqëse për udhëtarët që kërkojnë të përjetojnë një përzierje unike të traditës dhe modernitetit në Marok.
Albert Vataj