Gjergj Luca në Vatikan, atje ku Gjergj Kastrioti u shpall “Kalorës i Krishtit”
Albert Vataj
Viti i ri e gjen sipërmarrësin Gjergj Luca, në një vizitë për herë të parë në Vatikan, në Selinë e Shenjtë, në Tempullin e Shenjtorëve dhe etërve të Besimit, atje ku krishterimi ka gurin më të madh të themeleve të Kishës, shtëpisë së lutjes dhe faljes, të begatimit dhe lartësimit, të pritjes pendestare dhe përcjelljes së shëlbyer. Po në Vatikan, atje ku Heroi Ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, atje ku ai mori bekimin nga Papa Kalisti III i si “Kalorës i Krishtit”.
Ky titull nderi iu dha Skënderbeut në njohje të përpjekjeve të tij heroike për të mbrojtur botën e krishterë nga sulmet e Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të. Ai konsiderohej një mbrojtës i fesë së krishterë dhe i qytetërimit perëndimor, duke u kthyer në një figurë të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Evropën e kohës. Kjo njohje nga Selia e Shenjtë e vendosi atë në radhën e personaliteteve historike me ndikim të madh në ruajtjen e trashëgimisë së krishterë.
Luca do të shkruante në postimin që ai ka bërë në rrjetet sociale, “Një vizitë në Vatikan është udhërrëfyes shpirtëror e mendor. Pavarësisht besimit fetar, këtu bota parakalon në 2 mijë vitet e fundit duke shpalosur jo vetëm misteret e konspiracionet por edhe arkivat, artin, largpamësinë…”
Nuk la pa nënvizuar Gjergj Luca atë që ai quajti “Si shqiptar u ndjeva krenar!”, rolin që kanë patur shqiptarët e mëdhenj të përbetimit në Krishtin, që kanë shërbyer Papatit. Luca ndaloi te Meshari (1555), t’shkruemit e parë të shqipes nga Gjon Buzuku , monument i kulturës dhe identitetit tonë, që ruhet në këtë tempull të dijes, besimit dhe artit.
Luca në fjalën e tij impresionuese të kësaj vizite në Vatikan shprehu me superlativa aktin krijues të artit të madh dhe shprehës të një prej Titanëve të Artit, Mikelanxhelo.