Gjergj Luca: Vdekja e Margarita Xhepës është dhimbje e dyfishtë për familjen tonë

Gjergj Luca, djali i prindërve artistë, ka shprehur hidhërimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të ikonës së teatrit dhe kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa. Me fjalë të mbushura me emocion dhe respekt, ai ka nderuar figurën e saj të ndritur, duke vënë në pah trashëgiminë artistike të pavdekshme që ajo lë pas.

“Margarita Xhepa la pas emrin e madh, rolet e pavdekshme dhe dashurinë e pafund që ka marrë e do vazhdojë të marrë ndër breza dhe dekada. Vdekja e saj është dhimbje e dyfishtë për ne në familjen Luca. Qofsh e parajsës princeshë!” – shkruan Luca në një postim prekës, të cilin e ka shoqëruar me një fotografi të tij me aktoren e paharrueshme.

Margarita Xhepa, një nga figurat më të ndritura të skenës dhe ekranit shqiptar, u shua në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që do të vijojë të frymëzojë brezat e ardhshëm. Rrugëtimi i saj në art ishte i mbushur me role që prekën zemrat e publikut, me një interpretim plot ndjenjë, forcë dhe fisnikëri, duke e bërë atë një nga aktoret më të dashura dhe të nderuara të kombit.

Gjergj Luca, duke ardhur nga një familje me rrënjë të thella në art, e ka ndjerë këtë humbje jo vetëm si një dhimbje kolektive, por edhe si një boshllëk të thellë personal. Me mesazhin e tij prekës, ai ka përçuar ndjenjat e respektit të pakufishëm dhe mirënjohjes për një grua që i dha kaq shumë skenës dhe shpirtit artistik të shqiptarëve.

Albert Vataj

SHKARKO APP