Gjergj Zefi: Berisha mendon se është koha e sekretarit të partisë së spitalit

(Botuar me 14 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me Gjergj Zefin, kryetar i asamblesë së PAD

Z. Zefi, pse është zgjatur kaq shumë procesi për ju? Mendoni se ka patur edhe arsye të tjera?
Natyrisht, arsyet politike që ngarkojnë procesin tim duken qartë. Vetë fakti që unë u akuzova për një “fyerje” të bërë para dy vjetësh në dëm të Bujar Hoxhës, si dhe ndaj një personi tjetër të dyshimtë me emrin Ylber Meraja për të cilin në momentin që ai më akuzonte mua Gjykata e Rrethit të Gjirokastrës vendos arrestimin e tij pikërisht për ato fakte që rënduan mbi personin tim si fyerje, tregojnë se shkaku i dënimit tim është tjetër gjë. Unë u dënova se thashë të vërtetën. Thashë atë që sipas logjikës së shtetit të sotëm nuk duhet thënë. Gazetarët që fyejnë stimulohen nga vetë shteti. Hidhini po deshët një sy fletushkës “TD”, lexoni shkrimin e Bujar Hoxhës tek gazeta “Rilindja”kundër Rexhep Qoses dhe do ta kuptoni pastaj se gazetarët që fyejnë, stimulohen. Nuk do shumë mend për të kuptuar arsyet e vërteta të dënimit tim. Nëse do t’i referohemi dënimit plotësues i cili thotë tekstualisht: “i ndalohet të ushtrojë veprimtari në poste publike për një vit”. Ky vendim i nxjerrë nga kulisat dhe i përpiluar sipas stilit tipik të kreut të shtetit i pabazuar në asnjë argument ligjor dhe i paparashikuar nga asnjë nen i kodit penal është një urdhër politik primitiv që kërkon largimin tim nga politika, gjë që po jua përsëris edhe një herë s’ka për të ndodhur. Nëse unë do të rri ose jo në politikë, këtë nuk e vendos Berisha, por anëtarët e PAD e vendos mekanizmi i lirë i votës.
Berisha ka ngatërruar kohët. Ai mendon se është koha e sekretarit të partisë së spitalit, dhe mund të bëjë ç’t’i teket me organizatën bazë që ka nën hyqëm.
Ç’është e vërteta në këtë drejtim është mjeshtër por ama mjeshtër i despotizmit politik. Presidenti udhëhiqet në politikën e tij nga obskurantizmi fondamental i sundimit, i pushtetit personal, një tipar ky që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë përfaqësuese që duam të ndërtojmë ne sot. Tre “Parime” themelore i paraprijnë Berishës: 1. Unë kam gjithmonë të drejtë. 2. Unë kam gjithmonë të drejtë t’ju them se nuk keni të drejtë, dhe 3. Ju nuk keni kurrë të drejtë të thoni se unë nuk kam të drejtë. Jo President i një shteti Evropian, por edhe bajraktar i kohëve të mesjetës të ishte Sali Berisha, tradicioni kanunor nuk do ta pranonte për mosrespektim të rregullave të qeverisjes. Tjetër gjë është të dominosh me virtytin e forcës dhe të shtrëngimit, tjetër të zhdominosh me hegjemoninë e konsensusit.
Si mund të dënohet në kushtet aktuale të politikës së sotme në Shqipëri?
Atmosfera kënetore që ka përfshirë politikën e sotme shqiptare ka bërë që gjithnjë e më tepër tek ne të shkreditohet sensi politikës dhe i shtetit. Të lodhur nga mungesa e një shteti serioz, nga mungesa e një shoqërie civile tek ne shqiptarët, gjithnjë e më tepër po merr formë e rivijëzohet ajo çka do të ishte fatale për të ardhmen e një bashkësie njerëzore: zhgënjimi dhe humbja e besimit. Në këto kushte sipas mendimit tim, angazhimi i politikanëve duhet të synojë sensibilizimin e opinionit, ngjalljen e shpresës, vendosjen e një klime besimi, ndërmjetësimi në zgjidhjen e konflikteve. Aleanca Demokratike ka muaj që ka ndërmarrë një nisëm të tillë nëpërmjet fushatës së saj shpjeguese dhe konsultuese dhe kemi rezultuar me sukses në bashkëpunimin tonë me njerëzit. Kemi arritur t’i bindim ata se emri i politikës së sotme është kamufluar dhe përdhosur nga matrapazët politikë në pushtet. Nga hajdutët profanët, që u dyndën barbarisht mbi Shqipërinë. Kemi arritur t’i bindim njerëzit se të bësh politikë nuk do të thotë të “ndash plaçkën” por do të thotë të qeverisësh, të administrosh në të mirë të së përgjithshmes.
Ka ndonjë mënyrë konkrete për ta bërë këtë?
Një nga kartat tona politike më të suksesshme është realizmi politik. Ajo cka ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë që të bëjmë është t’i themi njerëzve të vërtetën, të jemi realist në premtimet tona, të ngjallim iniciativën, të luftojmë me të gjitha forcat përpjekjen e pushtetit të sotëm për të farkëtuar një qytetari të bindur e të nënshtruar, që nxisin plogështi dhe moskokëçarje, situata këto të favorshme për të arritur qëllimet e tyre të ruajtjes së pushtetit dhe të pasurimit në kurriz të qytetarëve. Siç ka thënë Herci “realizmi politik lind në mënyrë të pashmangshme sa herë që njerëzit bëhen plotësisht të ndërgjegjshëm për të krijuar një botë më të mirë dhe për të hequr qafe të ligjtë”.
Futja e PAD në polin e qendrës do të thotë edhe ndryshim strategjie në kuadër të bashkëpunimeve dhe aleancave?
Ne jemi shprehur në asamblenë e para 6 javëve në lidhje me mosfutjen në aleanca parazgjedhore. Natyrisht në politikë nuk mund të thuhet asnjëherë kurrë. Ai vendim u mor në kushte dhe rrethana të tjera të cilat mbase edhe mund të vijnë në periudhën e zgjedhjeve. Duke ju referuar kushteve dhe rrethanave në të cilat mund të ndodhemi, patjetër ne do të marrim vendime të tjera, pra nuk do të thotë se nuk ka për të ndryshuar mendimi ynë. Por deri tani ne i qëndrojmë mendimit të parë. Ligji aktual i zgjedhjeve ne nuk na favorizon nëse do të bëjmë aleanca parazgjedhore. Po të ketë një ndryshim ligji natyrisht, që do të bënim çdo lloj kompromisi me forcat e tjera politike për të larguar të keqen nga Shqipëria.
Kohët e fundit Aleanca Demokratike u pranua në Unionin Demokristian të Evropës. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë është hedhur ideja e adoptimit në programin tuaj të disa elementëve që karakterizojnë programet e demokristianëve evropianë. Në vija të përgjithshme a mund të thoni ku konsistojnë këto adoptime?
Është kongresi ynë i ardhshëm ai që do të vendosë dhe do të miratojë këto adoptime. Por unë mund të them në përgjithësi se ato konsistojnë kryesisht në planin shoqëror dhe ekonomik. Në planin shoqëror, mendoj se duhet të stimulojmë solidaritetin si tipar karakteristik i shoqërive moderne dhe civile, të nxisim tolerancën e ndërsjellë dhe respektimin e lirive qytetare, mbrojtjen e jetës private, denjësinë e personalitetit njerëzor edhe në jetën ekonomike. Gjithsecili nga ne duhet të sjellë ndërmend se ka edhe të drejta edhe detyra, dhe sipas mundësive të veta duhet t’i kontribuojë përparimit të bashkësisë së tij. Në planin ekonomik, ligjet ekonomike duhet të ndikohen, të kontrollohen e realisht të orientohen edhe nga ligjet morale që synojnë të mirën dhe lartësimin e njeriut nga çdo pikëpamje. Ne duhet të synojmë realizimin e një varësie të ndërsjellë ekonomike në mes qytetarëve, të realizojmë zbutjen e pabarazisë shoqërore dhe të zvogëlojmë me sa është e mundur disproporcionin në mes atyre që disponojnë pushtet më të madh dhe atyre që s’ka mundësi për iniciativë dhe përgjegjësi personale, duke jetuar në kushte jete dhe veprimi jo të denja për njeriun. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë pabarazi, për këtë polarizim aspak human dhe njëkohësisht jemi të bindur se mundësitë ekonomike që Shqipëria ka sot në disponim kishin mundur dhe mund ta ndreqnin këtë gjendje të mjerë. Duke patur parasysh parimet ekonomike të demokristianëve të Evropës, të cilët në 50 vjetët e fundit kanë mbajtur barrën kryesore në zhvillimin e saj ne duhet të realizojmë një drejtpeshim ekonomik dhe shoqëror në mes bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve si dhe në mes rajoneve të ndryshme të vendit. Rritja dhe zhvillimi i ekonomisë nuk duhet t’i lihet as zhvillimit gati mekanik të veprimtarisë së individëve dhe as pushtetit publik. Prandaj ne mendojmë se gabojnë të gjithë ato forca të cilat kundërshtojnë reformat e nevojshme në emër të kuptimit të gabueshëm të lirisë, sikur dhe gabojnë të gjitha ato forca të cilat sakrifikojnë të drejta themelore të individëve dhe të grupeve në favor të organizatës kolektive të prodhimit.
Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, ju hyni në “listën” e politikanëve pesimistë apo optimistë?
Jam shumë optimist. Jam i bindur në fitoren e plotë të forcave opozitare dhe në dështimin e plotë të PD që realisht nuk u bë kurrë parti. Ajo tashmë ka me vete vetëm një kontingjent të administratës shtetërore dhe një grup të vogël njerëzish që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga “ndarja e plaçkës”. Por të dy këto kontingjente do t’i largohet ditën e zgjedhjeve, i pari për të ruajtur vendin e punës dhe i dyti për të ruajtur pronën e grabitur. Deklaratat optimiste të Presidentit dhe të njerëzve të tij, pëshpëritjet për përdorimin e dhunës, për manipulimin etj., s’janë gjë tjetër veçse përpjekje dështake për të mbajtur lart “moralin” e njerëzve që i kanë mbetur. Kështu, në Shkodër në të ashtuquajturën nga propaganda e tyre si “kështjella e PD, ata do ta ndjejnë nga afër mundjen e plotë. Thirrjet e tyre se “Shkodra është e jona”, “Shkodrën nuk e lëshojmë” etj. unë do t’u përgjigjem shkurt: Shkodra është si ajsberg, ku pjesa e dukshme është PD. Ajo do të thotë në fund fjalën e saj për të gjithë ata që për katër vjet me radhë luajtën në kurriz të saj. Është e vërtetë se Shkodra është demokratike, por s’është rrugaçe, s’ka të bëjë fare me rrugaçërinë dhe vagabondazhin politik. Janë një grup njerëzish ata që kanë luajtur me emrin e saj, e kanë shkredituar atë duke i nxjerrë namin e keq si vendi i konflikteve dhe i mungesës së kulturës politike. Pushteti i sotëm i ka mbajtur inteligjencën shkodrane nën trysninë e kulturës së urisë dhe kjo inteligjencë që sot hesht do të vijë dita që do ta thotë fjalën e saj. Unë jam shumë optimist edhe për rezultatin e AD në veçanti në zgjedhjet e ardhshme. S’ka më dyshim që ne do të jemi forca e dytë politike dhe do të vendosim jo pak në fatet e qeverisjes së ardhshme.
Intervistoi J.Godole

SHKARKO APP