Gjergj Zefi: Në Shqipëri nuk ka korrupsion, por vjedhje

(Botuar me 30 Maj 1995 në KOHA JONE)

Intervistë me z. Gjergj Zefi, Kryetar i Asamblesë së PAD

A mendoni se politikës shqiptare i duhet një mendim i ri i përfaqësuar mbase edhe nga të rinj?
Po. Mendoj se ka ardhur momenti i një brezi të ri qeveritarësh, njerëz të rinj që t’i bëjnë ballë problemeve dhe mundësive të reja. Në të gjithë botën dhe veçanërisht në demokracitë e reja, të rinjtë po shkojnë drejt pushtetit, të rinj këta që nuk janë të lidhur me traditën e së shkuarës dhe nuk janë robër të frikërave, urrejtjeve dhe rivaliteteve të vjetra, të rinj që hedhin poshtë çdo slogan, çdo deziluzion dhe çdo dyshim, të rinj që nuk hyjnë në politikë për të mallkuar, për të mallkuar errësirën e djeshme dhe të sotme, por për të ndezur një qiri që të na udhëheqë drejt një të ardhme sigurie. Kjo e ardhme modeste që duam të ndërtojmë nuk arrihet duke patur në themel konfliktin dhe kompleksin e mosmarrëveshjes, por përkundrazi nëse udhëhiqet nga dialogu dhe konsensusi, nga arsyeja dhe realizmi politik.
Si e vlerësoni situatën e sotme politike në vend?
-Në fillimin e këtij viti me (rebelemin) e kryetarit të PD, Selam Selamit dhe shkarkimin e tij nga posti, u duk se diçka po lëvizte, por shumë shpejt situata politike ngriu prapë. Kjo mbase për faktin se “Kërciku” i Selamit dhe i bashkëkombësve të tij ishte shumë i vogël. Tani politika në Shqipëri është totalisht e paralizuar. Politikanët dhe analistët e politikës engledisen me ndonjë “ngjarje”që ndodh përbrenda kampit të të djathtëve dhe vetëm kaq. Ndërkohë që problemi më themelor i politikës, Kushtetuta, është mënjanuar. Përpjekja e katër partive të opozitës për një projekt kushtetutë alternative nuk u respektua. Parlamenti si organi më i lartë legjislativ e ka humbur kartën e përfaqësimit. Presidenti Berisha e sundon Parlamentin me telefon. Ky Parlament mbahet sot në këmbë vetëm në sajë të një kompromisi, në sajë të një pazari politik që pjesa dërrmuese e deputetëve duke qenë të bindur në mosrizgjedhje, bëjnë me njëri tjetrin. Ky është kompromisi i mirëqenies, i privilegjeve.
Shifrat e eurobarometrit dhanë një 4 për qind të votave për PAD. Ç’përbën sot kjo shifër dhe si mendon se do të variojnë në 96?
Respektoj shumë punën shkencore të eurobarometrit dhe përshëndes ndihmën e madhe që japin ata në modernizimin e politikës në Shqipëri. Për sa i përket shifrës që na u diktua, unë mund të them se 4 për qind është shifër stimuluese në aktivitetin politik të AD, nëse do të kemi parasysh dy faktorë. I pari, që në Shqipëri njerëzit akoma nuk janë çliruar nga ankthi i frikës së kundërshtimit të pushtetit. Dhe këto shifra kanë diçka fiktive që i dedikohet autocensurës së gjithsecilit. Shpesh miqtë tanë, madje edhe njerëz të zot dhe intelektualë të shquar na “përgëzojnë” ne kundërshtarët e pushtetit me epitetin “trima”. Këto njerëz ende nuk kanë kuptuar se kriticizmi ynë nuk i dedikohet “trimërisë sonë” por lirisë sonë, lirisë së të gjithëve nëpër të cilën kemi detyrime të gjithë së bashku. Faktori i dytë është faktori i zhgënjimit të një pjese të mirë të elektoratit që në shifra rezultojnë në abstenim. Ky kontingjent i lodhur nga ekstremet e politikës shqiptare do të gjejë patjetër një rrugë të mesme. Këtë e tregon dhe rritja e vazhdueshme e AD që me gjithë vështirësitë objektive për të kontaktuar me njerëzit, shto këtu edhe censurën absurde të TV, është e konsiderueshme. Kështu që ne besojmë se do ta kalojmë me sukses sprovën e madhe të 96.
A do të ndikojë ky rezultat në aleancat e koalicionet e pas zgjedhjeve?
E keni thënë disa herë, ne nuk jemi një apendisit në politikë. Ne përfaqësojmë polin e qendrës së politikës shqiptare. Ndaj në koalicionet qeveritare ne do të futemi vetëm atëherë, kur të ndikojmë realisht me propozimet tona dhe me njerëzit tanë në pushtet, dhe jo si një fasadë politike e njërës apo e tjetrës palë, ne do bëjmë koalicione qeveritare jo për një makinë, për një rrogë, për një traget apo për një kioskë, por për të dhënë kontributin tonë modest në qeverisjen e këtij vendi, jashtë çdo lloj pazari politik.
Shpesh ju kanë akuzuar për të “majtë”. Prej nga vijnë opinione të tilla?
Të jesh i majtë nuk është turp. Përkundrazi e majta luan sot një rol të rëndësishëm në politikën evropiane. Kështu që nëse do të ishim të majtë nuk do ta fshihnim këtë. Problemi është se ne nuk kemi të majtë. Ne i mendojmë ndryshe nga të majtët zgjidhjet ekonomike për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ne mendojmë se shoqëria shqiptare është shumë e socialstifikuar e ndikuar nga etatizmi, ndaj dhe jemi për iniciativën e lirë, për liberalizimin e plotë të ekonomisë shqiptare. Jemi për iniciativën e lirë, por jo për iniciativën e vetëm anëtarëve të PD, PS, apo AD, po për iniciativën e lirë të të gjithë shqiptarëve. Jemi për liberalizimin e ekonomisë, por jo për anarshinë e saj. Ne, ndryshe nga të majtët, mendojmë se ky vend ka nevojë më shumë për investime, për sisteme krediti e fronte pune sesa për subvencione në ekonomi, për rritje pensionesh e asistencash. Nuk mund të ketë rritje pensionesh e asistencash në një vend ku nuk ka prodhim. Ky vend ka nevojë që të krijojë klasën e borgjezisë së mesme e të vogël, e cila mungon dhe pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim. Ndërsa për sa i përket asaj se nga vijnë këto opinione, mendoj se vijnë pikërisht nga ata që nesër me të ardhur të majtët në pushtet do të na akuzojnë ne për të djathtë, pra janë pikërisht ata shërbëtorët e përjetshëm të pushteteve, janë rriqrat politike që i kanë zënë frymën politikës shqiptare e që rrezikojnë të asfiksojnë atë, janë ata riciklimi i të cilëve do t’i bëjë dëm çdo lloj pushtetit që do të vijë në Shqipëri.
Si e vlerësoni “luftën” e Qeverisë kundër korrupsionit brenda PD, e aq më tepër në PS?
Historikisht ata që predikojnë më shumë për nderin janë të pandershmit. Kështu po ndodh edhe sot me qeverinë shqiptare. Njerëzit më të korruptuar flasin më shumë se askush tjetër, për luftën kundër korrupsionit. Por ç’është e vërteta, ky predikim i tyre bën efektin e kundërt. Kështu kur Ministri Çela, çirret për luftën kundër korrupsionit, qytetarët e Malësisë së Madhe qeshin nën hundë kur shohin pikën e tij të karburantit, apo birrën “Kruna”, kur Meksi ngre zërin kundër korrupsionit, tiranasve u kujtohet benzinata në hyrje të qytetit, apo sobat me gaz. Kështu edhe kur Berisha e Zhulali, prezantohen në TV, shqiptarëve menjëherë u shkon ndërmend dekorata e Arsidit dhe tregtia e armëve dhe e naftës me serbët. Ajo çka unë dua të shtoj këtu është se fjala korrupsion nuk është e përshtatshme për qeverinë e sotme shqiptare. Të bësh korrupsion është diçka tjetër më e sofistikuar, më e kualifikuar, është të manipulosh me finesë privilegjet që rrjedhin nga pushteti, ndërsa kjo që po ndodh sot tek ne është vjedhje e hapur, është grabitje me dhunë e pasurisë kombëtare. T’u thuash korrupsionistë pushtetarëve të sotëm, i nderon.
Berisha e Rugova nuk janë takuar me AD…
Personalisht, nuk më shqetëson shumë fakti që nuk na takoi z. Rugova, kjo është çështje që i takon atij, por më shqetëson mjerimi politik dhe tonet disfatiste me të cilat përcjellin politikat zyrtare të dy shtabeve drejtuese qeveritare këndej e andej kufirit, çështjen kombëtare shqiptare. Frigohem shumë kur mendoj se çfarë të mirë i kanë sjellë çështjes sonë kombëtare, dy shtabet politike të Berishës dhe Rugovës, përveç mbështetjes që i kanë bërë njëri tjetrit në ruajtjen e pushtetit.
Çfarë fitoi Kosova dhe në përgjithësi çështja kombëtare shqiptare nga politika e Berishës dhe e Rugovës?
I pari, Presidenti Shqiptar, në njërën anë u deklaron diplomatëve të Evropës se për Shqipërinë është e rëndësishme mënjanimi i konfliktit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë, e ndërkohë për politikë dite në qarqet politike të brendshme çirret për Kosovën Republikë. Merret me mend se ç’mund të arrihet nga kjo politikë maskash. Ndërsa i dyti, Presidenti i Kosovës e konsideron çështjen e Kosovës si një çiflig të vetin. Ish-anëtari i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë nuk shkëputet dot nga politika e konfondimit të Shqipërisë me kreun e shtetit, dhe harron se çështja kombëtare i përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm antarëve të LDK apo të PD. Rugova nuk shkëputet dot nga “kompleksi i mosmarrëveshjes” dhe ngjan më tepër me një udhëheqës fanatik partie se sa një udhëheqës shteti.
Intervistoi: Arben Vata

SHKARKO APP