Gazeta “Frankfurter Zeitung”: Kaq shtrenjtë janë pushimet në Itali, sa edhe Meloni shkoi në Shqipëri!
Vera 2023, padyshim është e Shqipërisë për turizmin.
Gazeta më e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është befasuar nga fakti se Giorgia Meloni vendosi papritur që të kalojë në Vlorë pushimet e saj të para si kryeministre ku arriti të ruajë privatësinë ashtu si edhe në Pulia.
Për pushimet e saj të para verore si kryetare e qeverisë, Meloni zgjodhi Pulian gjë që u konsiderua zgjedhje e arsyeshme nga vëzhguesit politikë. Ishte një destinacion në atdhe, në një akomodim dinjitoz, por jo shumë luksoz, në të cilin ajo do të kishte të garantuar privatësinë e familjes së saj.
Paparacët u përpoqën pa rezultat të përdornin dron për të kapur ndonje foto apo video. Më pas papritur Meloni dhe familja e saj mirëpritën një ftesë private nga kryeministri Edi Rama dhe morën tragetin e planifikuar nga Brindisi për në Vlorë. Gazeta gjermane përmend faktin se njëkohësisht me kryeministren e tyre edhe gjysmë milionë italianë janë tërhequr nga bukuritë e Shqipërisë.
Dikush mund të dyshojë nëse Shqipëria ishte një zgjedhje e duhur për një pushim të shkurtër në periudhën e Ferragostos për kryeministren italiane dhe familjen e saj. Gazetat janë plot me raportime të familjeve që po largohen nga çmimet e larta në Itali drejt brigjeve te Shqipërisë, ku për të njëjtën shumë parash mund të bëhet dy deri në tre herë më shumë ditë pushimesh sesa në vendlindje, duke përfshirë edhe kostot e transportit përtej Adriatikut.
Gjermanët nuk nguruan as te ironizonin: Mesa duket edhe për kreun e qeverisë italiane pushimet në vendin e saj ishin bërë shumë të shtrenjta.
Gazeta gjermane nënvizon faktin se socialisti Rama dhe konservatorja e djathtë Meloni shkojnë shkëlqyeshëm, pavarësisht dallimeve ideologjike. Rama e vlerësoi Melonin si një “tigreshë” që i ka habitur të gjithë politikanët e lartë në skenën ndërkombëtare si një grua dhe një evropianiste të madhe me talent të jashtëzakonshëm për komunikim.
Edi Rama mbetet mjeshtër në marrëdhëniet ndërkombëtare duke i krijuar një impakt pozitiv Shqipërisë.