Gjermania: Nuk ka “para për kthim“ për azilkërkuesit!

Ambasada gjermane informon mbi reagimin e Qarkut Federal Lörrach në Gjermani në lidhje me lajmet dhe artikujt e shfaqur në mediat shqiptare.
 
"Në shumë media shqiptare është raportuar ditët e fundit se Qarku Federal Lörrach në Gjermani do t‘u paguante para azilkërkuesve që vijnë nga vendet e Ballkanit, nëse këta do të tërhiqnin aplikimin për azil dhe do të ktheheshin vullnetarisht në atdheun e tyre. Qarku Federal Lörrach Ju vë në dijeni për faktin se ky informacion është i gabuar.
 
Informacioni i vërtetë është se në fillim të korrikut 2015, për azilkërkuesit nga Ballkani, u bë oferta e mëposhtme unike dhe e limituar në kohë: Personat, të cilët kanë tërhequr aplikimin e tyre për azil deri më 24 korrik 2015 dhe do të dalin nga Gjermania deri më 14 gusht 2015, mund të marrin një mbështetje financiare nga Qarku Federal Lörrach. Kjo ofertë nuk është më e vlefshme që prej datës 24 korrik 2015.
 
Në të ardhmen nuk do të ketë shpërblim në para në rast kthimi vullnetar në atdhe.Me këtë aksion synohej të pengohej akomodimi i detyruar i azilkërkuesve në salla
dhe çadra. Megjithatë situata e akomodimit të azilkërkuesve në të gjithë Gjermaninë muajt e fundit është përkeqësuar në mënyrë dramatike, aq sa dhe Qarku Federal
Lörrach është i detyruar t’i strehojë azilkërkuesit e tjerë në vazhdim në çadra dhe palestra. 
 
Për azilkërkuesit, strehimi në këto qëndra të improvizuara në kushte urgjence, shoqërohet jo vetëm me rrethana banimi shumë të ngushta dhe mungesën e hapësirës private por edhe me reduktimin e kuotës në para, pasi për shkak të shpërndarjes së ushqimit në mënyrë të përqëndruar, hiqet pagesa në para për
ushqim për azilkërkuesit", përfundon njoftimi.

SHKARKO APP