Gjika: Fasoneritë nuk janë burim infektimi! Qeveria të krijojë dualitet masash
Ditët e fundit situata e koronavirusit është përkeqësuar kryesisht në fasoneritë, ku vetëm sot janë shtuar rastet në Krujë dhe Kurbin. Por për këtë situatë nuk mund të mbajë përgjegjësi biznesi fason.
Kreu i Fasonerisë në Shqipëri, Gjergj Gjika në një intervistë për Ora News tha se nuk mund të thuhet që kjo industri është burim infektimi. Sipas Gjikës bizneset fasone i kanë marrë masat që në ditët e para të shpërthimit të virusit.
Gjergj Gjika: Pjesë dërrmuese e fasonëve i ka respektuar këto që ditën e parë këto masa. Që nga dezinfektimi individual, kolektiv, vendosja e dorezave, maskat etj., janë zbatuar. Problemi nuk është vetëm në ndërmarrje, në ndërmarrje ata rrinë vetëm 8 orë, por problemi është edhe 16 orëshi tjetër. Po të nisemi me një logjikë pragmatiste, unë po ju them se duke qenë se u infektua kreu i infektivit, i bie që të mbyllej i gjithë infektivi, por nuk është kjo logjika. Nuk mund ti vëmë fajin fasonit pse ata njerëz fatkeq janë sëmurur, por fasoni nuk mund të mbajë këtë përgjegjësi, pasi nuk është burim infektimi. Nëse nuk janë zbatuar rregullat, atëherë po ju them që rregullat nuk janë zbatuar as te tregu ushqimor, as dje që dolën nënat me fëmijët. Pra dua të them që janë ca rregulla që ne nuk jemi mësuar ti zbatojmë dhe duhet kohë që të mësohemi. Nuk mund të akuzojmë ndërmarrjen që nuk ka zbatuar rregullat, por po ju them që njeriu përveç 8 orëve në punë ka edhe 16 orë të tjera jashtë punë2 dhe infektimi mund të ndodhë kudo, askush mund të thotë që infektimi ka ndodhur në vendin e punës.
Gjika tha se i kanë kërkuar qeverisë që që të krijojë një dualitet masash, në mënyrë të tillë që edhe puna edhe jeta aktive të mos ndërpritet.
Gjergj Gjika: Pikat e paketës tonë bazohen në dy elementë. E para, të sigurojmë jetën e njerëzve që punojnë dhe e dyta, të mendojmë që në vend që të shërojmë një pandemi mjekësore mos biem në një pandemi ekonomike. Pra me fjalë të tjera të mendojmë dhe për të ardhmen.
Kjo pandemi do kalojë dhe kam frikë se nëse do marrim masa drastike, gjë që nuk ndodhi ne mund të biem në një pandemi ekonomike të pashërueshme. Pra ne kemi kërkuar nga organet kompetente, nga qeveria që të krijojë një dualitet masash, në mënyrë të tillë që edhe puna edhe jeta aktive të mos ndërpritet, por nga ana tjetër duke siguruar jetesën dhe punën normale aq sa mund të quhet normale në këto kushte krahas saj të mendojë për kalimin ekonomik të kësaj pandemie,e cila nuk është gjë e zakonshme.