Gjimnazistja që tërmeti e ka lënë pa shtëpi: Do bëhem avokate të mbroj të drejtat

Në fshatin Kullë të Sukthit, në Durrës, familja e Hajdar Tahirit po përballet me harresën e autoriteteve vendore, ndërsa dimri nuk është larg. E dëmtuar nga tërmeti, kjo familje nuk ka përfituar as bonus qiraje dhe as grantin e rikonstruksionit për riparimin e dëmeve, ndonëse kryefamiljari i saj pohon se ka aplikuar që në shkurt.

”U bë gati 7-8 muaj që kam aplikuar, por asgjë. Jam interesuar disa herë dhe më kanë thënë kur të mblidhet këshilli bashkiak dhe muajt kalojnë. Pa punë, pa përkrahje, pas asistencë. Gocat janë në shkollë dhe duan lekë për transport”,- thotë Tahiri për ”Top Channel”.

Një nga vajzat e familjes, Sabina, 19-vjeç, për pamundësi ekonomike nuk e vazhdoi dot shkollën dhe tani e ndihmuar nga shoqata e grave në Durrës po përpiqet të marrë një profesion. Motra e saj, Zyliha është në vit të dytë në shkollë të mesme. Mëson jashtë. Jo vetëm shtëpia, por edhe shkolla e fshatit është dëmtuar nga tërmeti dhe ajo udhëton bashkë me nxënësit e tjerë drejt një fshati tjetër për të mësuar. Ëndërron të bëhet avokate.

”Jam në vit të dytë. E bëj në Rrushkull për shkak se shkolla jonë është prishur. Vjen autobuzi dhe shkojmë por e vështirë se e bëjmë pasdite dhe vijmë vonë. Është e vështirë. Për shkak se na është prish dhe shtëpia nga tërmeti, mësoj në këto kushte. Po dua të mësoj që të bëj dhe unë diçka në jetë. Të ndihmoj prindërit e mi. Dua të bëhem avokate”,- tha ajo.

SHKARKO APP