Gjirokastër, i riu nga Lazarati peng për 24 orë. Rrëmbyesit kërkuan 30 mijë euro

 

Policia ka arrestuar 4 persona pasi akuzohen për rrëmbim dhe mbajtje peng të një personi me iniciale A.H 25 vjeç nga Lazarati duke i kërkuar 30 mijë euro për lirim.

Ngjarja ka ndodhur 6 ditë më parë, kur 4 personat e arrestuar konkretisht  Artur Gjonaj 36 vjeç, Anton Peço 31 vjeç, Çelik Kaloti 18 vjeç, Ervis Xhamaj 18 vjeç kanë rrëmbyer në aksin rrugor  Fushë -Krujë- Milot të riun nga Lazarati.

4 rrëmbyesit i kanë kërkuar të atit të 25 vjeçarit 30 mijë euro për ta liruar djalin e tij. Madje sipas policisë pengmarrja e këtij personi është shoqëruar me dhunë.

Operacioni për arrestimin e 4 personave është bërë nga forcat e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë paraditen e sotme 16 maj rreth orës 10:00 në vendin e quajtur Mursi.

Policia në cilësinë e provës materiale sekuestroi 3 aparate telefonash celulare si dhe 2 karta SIM telefonash celularë.

Njoftimi i Policisë

Kapen dhe ndalohen 4 shtetas për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”
Operacioni nga forcat e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë.

Më datë 16.05.2015,rreth orës 10.00 nga ana e forcave të Policisë së Sarandës në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër u bë e mundur kapja dhe ndalimi në vendin e quajtur Mursi,Sarandë I këtyre shtetasve:

• Artur.Gj.Gjonaj,36 vjeç, lindur dhe banues në Laç, i dënuar më parë për veprën penale”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
• Andon.P.Meço, 31 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë.
• Çelik.N.Kaloti, 18 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Sarandë.
• Ervis.T.Xhamaj, 28 vjeç lindur dhe banues në Kolonjë,Gjirokastër.

Shtetasit e mësipërm u kapën dhe u ndaluan pasi më datë 10.05.2015,rreth orës 21.00, në vendin e quajtur karburant “ERI”, përgjatë rrugës nacionale Fushë -Krujë- Milot, kanë rrëmbyer dhe më pas kanë mbajtur peng me qëllim për të fituar pasuri, shtetasin: A.H,25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, duke i kërkuar nëpërmjet telefonit 30 000 euro babait te tij, shtetasit S. H për lirimin e tij.Pengëmarrja e këtij shtetasi është shoqëruar dhe me dhunë fizike.
Nga ana sektorit për Krimet e Rënda të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorin për Krimet e Rënda të D.P.P.SH ,më datë 11.05.2015 rreth orës 09.00, shtetasi i marr peng u lirua dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Artur Gjonaj ku dhe më pas,më datë 15.05.2015 u bë e mundur kapja e tij dhe e personave të tjerë.

Në funksion të hetimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 aparate telefonash celulare si dhe 2 karta SIM telefonash celularë.

Materialet e grumbulluara i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale “rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 109&25 i Kodit. Penal.

SHKARKO APP