Gjirokastër/ Rrëshqitja e dheut bllokon rrugën, bashkia në pritje të ekspertëve
Prej më shumë se një muaji, banorët e lagjeve Cfakë, Manalat i Parë dhe Manalat i Dytë në Gjirokastër jetojnë në kushte izolimi, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin.
Pas rrëshqitjes së një masivi dheu gjatë përmbytjeve që goditën qytetin, rruga kryesore që lidh këto lagje me pjesën tjetër të Gjirokastrës mbetet ende e bllokuar, pa asnjë zgjidhje konkrete.
Çdo ditë, banorët detyrohen të kalojnë mbi masivin e dheut të rrëshqitur, në një zonë tepër të rrezikshme, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e tyre.
Në vend të një ndërhyrjeje urgjente, ata janë lënë të përballen vetë me pasojat e një situate që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Shqetësimi i komunitetit është i lartë. Banorët denoncojnë mungesën totale të vëmendjes nga Bashkia e Gjirokastrës, e cila, sipas tyre, kujtohet për këto zona vetëm gjatë fushatave elektorale, ndërsa në emergjenca reale i lë në harresë.
Situata paraqitet veçanërisht alarmante për të moshuarit, të cilët prej më shumë se një muaji nuk përfitojnë shërbimin e linjës urbane dhe janë të detyruar të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre, pa akses në shërbime bazë.
Ndërkohë, inxhinieri i Bashkisë së Gjirokastrës, Spiro Diamanti, bëri me dije se pritet ende raporti i Shërbimit Gjeologjik. Deri në mbërritjen e këtij raporti, banorët do të vijojnë të përballen me rrezikun, duke kaluar në shtigje të pasigurta dhe potencialisht fatale.
KOHA JONË SONDAZH

