GJKKO dënon me 3 vite burg ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetarin e Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla dhe 8 ish-zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie.
Ata u gjetën fajtorë nga Gjykata e Posaçme, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikimit.
Alla u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht do të vuajë 2 vite heqje lirie.
Prokuroria konstaton se kjo procedurë prokurimi është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore, pasi nga ana e Allës, zv.kryetares së Bashkisë Bulqizë Enkeleda Lleshi, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit e të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, janë ndërmarrë veprime aktive të kundërigjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin e fituesit megjithëse ky subjekt nuk I përmbushte të gjitha kriteret.
Sipas SPAK, megjithëse fitues është shpallur Rafim Daci, punimet janë kryer nga Aqif Konesha që nuk është shpallur fitues, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore dhe se kjo është bërë me qëllim që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e këtij të fundit me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla. Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Aqif Konesha rezulton me lidhje të afërta me kryebashkiakun Lefter Alla.
Po ashtu, prokuroria thtoë se është provuar se nga subjekti i shpallur fitues janë kryer pagesa në favor të anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik, të hetuarit Erion Isaku.
Ndërsa administratorët e dy kompanive të përfshira, Rasim Daci dhe Aqif Konesha, si dhe mbikqyrsja e punimeve, Ana Nishku dhe drejtuesi teknik i punimeve, Dali Gazidedja akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara gjatë zbatimit të kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet janë kryer nga firma fituese e procedurës së prokurimit.