Gjobat për maskat, qytetarët ankimim në Gjykatën Administrative
Të gjithë qytetarët të cilët duan të kundërshtojnë gjobën e marrë në rast se konstatohen pa maskë në ambientet e jashtme do duhet t’u drejtohen Gjykatës Administrative. Ndryshe nga masat administrative të cilat vendoseshin nga policia gjatë periudhës së karantinës, gjobat për maskat nuk mund të ankimohen në komisionet e policisë, por vetëm në gjykatë.
Do të jetë pikërisht ky institucion i cili do të shqyrtojë pretendimet e “shkelësve” në bazë të aktit të konstatimit të plotësuar nga punonjësi i policisë. Kjo mundësi jepet vetëm pasi qytetari të ketë paguar gjobën e vendosur, pasi sipas aktit normativ, masa ka titull ekzekutiv dhe menjëherë kalon në sistemin e OSSHE.
Një javë më parë, kryeministri Edi Rama bëri me dije vendimin për mbajtjen e maskave me detyrim edhe në ambient të jashtëm. Dhe në vetëm 3 ditë nga fyrja në fuqi e vendimit, Policia e Shtetit zbulon se ka vënë 1191 masa administrative prej 3 mijë lekësh. E përkthyer në gjuhën e shifrave arrijnë në 3 milionë e 573 mijë lekë. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as qytetarët e shoqëruar në polici, 21 të tillë të cilët nuk kishin mjet identifikimi me vete apo kundërshtuan punonjësin e policisë. Të angazhuar për zbatimin e këtij rregulli janë efektivët e policisë së rendit, rrugores dhe specialistët e zonës.
Monitorimi i qytetarëve në rrugë apo në zona të banuara kryhet nga efektivët e policisë së rendit dhe specialistët e zonës. Për kontrollin e automjeteve janë angazhuar punonjësit e rrugores dhe nëse qytetarët në rast se udhëtojnë të vetëm nuk e kanë detyrim mbajtjen e maskës, ndërsa barriera mbrojtëse duhet përdorur në rast se në makinë qarkullojnë më shumë se 2 persona. Në rastet kur qytetarët konstatohen pa maskë dhe me vete nuk disponojnë kartën e ID, efektivi do të ndërmarrë shoqërimin e tij në komisariat për të bërë identifikimin e tij e më pas vendosjen e masës administrative