Gjokë Uldedaj merr pjesë në ceremoninë e 150-vjetorit të lindjes së Sevasti Qiriazi
Nga Gjokë Uldedaj
Aktivitet i Akademisë së Shkencave.
Fjala ime përshëndetëse në aktivitetin jubilar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Sevasti Qiriazi.
• Te nderuar pjesëmarres, akademik, profesor dhe studiues, në këtë “Veprimtari Jubilare” kushtuar 150 vjetorit te lindjes së veprimtares patriotike kombëtare Sevasti Qiriazi
• I nderuar Prof. Skender Gjinushi Kryetar i Akademisë së Shkencave.
• Te nderuar referues Profesor z. Hosaflook, Profesore znj. Toska, dhe Profesore znj Demo.
• I dashur Robert Dako, nipi i misionares dhe mësueses së parë shqiptare Sevasti Qiriazi.
Jam thellësisht i nderuar të marr pjesë dhe të përshëndes në cilësinë e Presidentit te Universitetit “Qiriazi”, në këtë veprimtari të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të atdhetares dhe nismëtares së organizimit të arsmimit shqiptar për femra, mësueses së popullit dhe nderit të kombit Sevasti Qiriazi.
Historia e motrave Qiriazi është historia e arsimit tonë kombëtar, jo vetëm me krijimin e një foleje kombëtare si “Instituti Femror Kyrias”, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallim krahinash dhe besimesh, por me një aktivitet të gjërë atdhetar me kontribute të cmueshme dhe të spikatura të kohës.
Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit, zë vend të veçantë. Ajo ishte mësuese dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e palodhur e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pjesmarrëse në Kongresin e famshëm të Manastirit për themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe, kontributore e hapjes së shkollës së parë shqipe në Shqipëri (Korçë), drejtoreshë e Shkollës së Vashave, atdhetare e flaktë, intelektuale e shquar që zotëronte shumë gjuhë të huaja.
Si oratore, u shqua për qartësinë e mendimit, duke predikuar në popull idetë e mëdha të Rilindjes Kombëtare, të luftës së drejtë që bënte populli ynë për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit tonë.
Në mënyrë të veçantë, si mësuese u shqua për vullnetin, pasionin, këmbënguljen dhe për kërkesat e larta për ta ngritur shkollën e tyre në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Kontributi i tyre vazhdon të jetë i rëndësishëm për çdo gjeneratë femrash shqiptare.
Univeresiteti ynë që trashëgon mbiemrin e motrave “Qiriazi” u themelua në vitin 2006, nga Robert Dako, nipi i mësueses së shquar, i cili ndodhet sot këtu midis nesh dhe e përshendesim përzemërsisht. Ky Universiti u themelua si një obligim i Tij, për të lartësuar emrin dhe veprën e tri ikonave të arsimit kombëtar shqiptar, motrave Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që me punën dhe kontributin e tyre, i dhanë vlera të paçmuara Rilindjes Kombëtare.
Emblema e motrave “Qiriazi”, e këtyre dy Zonjave të Bekuara është dhe aureola e këtij Universiteti, që e zhvillon aktivitetin e tij në godinën historike të ndërtuar prej tyre në vitin 1922. Ky Institucion i Arsimit të Lartë dhe kjo godinë historike simbolizon emrin dhe veprën e këtyre ikonave të Arsimit Kombëtar Shqiptar dhe është e do mbetet një trashigimi e pastër dhe mbartëse e emrit dhe veprës së vyer të këtyre figurave emblematike.
Përgjatë më shumë se 15 vjetësh, Institucioni ynë i Arsimit të Lartë ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë si një qendër bashkëkohore studimi, kërkimi shkencor dhe transferimi të njohurive, për të formuar e diplomuar studentë me të gjitha kualitetet, të aftë për të konkuruar me dinjitet e profesionalizëm në tregjet e punës intelektuale, brenda dhe jashtë vendit.
Stafi akademik i këtij Unversiteti ndjehet i vlerësuar dhe i motivuar, për ta lartësuar emrin dhe veprën e tyre, emra të spikatur që kanë lënë gjurmë të thella në historografinë e krijimit dhe përparimit të sistemit arsimor kombëtar.
Në këtë kuadër, aktivitete të tilla të rëndësishme të organizuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kushtuar figurave të spikatura historike si kjo sot është edhe një amanet i pashkruar, për të njohur jetën dhe veprën e tyre, pasi figura e Sevasti Qiriazit është simbol i lirisë, arsimit, përparimit dhe ecjes tonë përpara.
Në këtë aktivitet të 150 vjetorit të lindjes së veprimtares patriotike Sevasti Qiriazi, më lejoni të sjell në vëmëndjen Tuaj, inciativën e Insitucionit tonë të Arsimit të Lartë e cila është materializuar në vitit 2017: me kërkesën tonë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, akordoi për Familjen Qiriazi dhe Kristo Dako, Titullin e Lartë “Nderi i Kombit”, duke vlerësuar kontributin e shquar intelektual dhe atdhetar, për rilindjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e arsimit tonë kombëtar,për organizimin dhe pjesëmarrjen aktive në Kongresin e Manastirit, për ngritjen e institucionit të parë arsimor femëror, Shkollës së Vashave “Qiriazi’’, për botimin e Abetares së Parë, si dhe shumë periodikëve arsimorë dhe librave historikë.
Unë mendoj se krahas vlerësimeve të deritanishme për këto figura kombëtare, vecanërisht pas vitit 1991, jeta dhe vepra e tyre ka nevojë që të ndricohet edhe më shumë që t’u bëhet e njohur brezave. E theksojë këtë fakt pasi ka vend për iniciativa dhe veprimtari të tjera, për të lartësuar më shumë emrin e tyre.
Kam nderin të ndaj këtu me ju dy momente të rëndësishme:
I pari, ka të bëjë me projektin dhe angazhimin tone, për ngritjen e muzeut historik kushtuar Familjes Qiriazi dhe Dako, që do të realizohet vitin tjetër, në kuadrin e 100 vjetorit të “Institutit Femror Kyriaz”, në Kodër Kamëz. Ky museum të jetë në godinën historike të Universitetit Qiriazi.
I dyti, po në kuadrin e 100 vjetorit do të ndërtojmë një përmendore të motrave Qiriazi dhe Kristo Dako, në sheshin e këtij Universiteti që mban emrin “Qiriazi”.
Në këtë kuadër, kam një kërkesë për Akademinë e Shkencave, që të bëhet promotore e iniciativave për lartësimin e figurave të arsimit, shkencës dhe kulturës, duke këmbëngulur që emrat e tyre të vendosen jo vetëm në rrugë dhe shetitore, por edhe në institucione të rëndësishme të vendit.
Për kujtesë, të gjithë e dimë që Universiteti Bujqësor i Tiranës është themeluar në vitin 1951 në godinën historike të “Institutit Femror Kyrias”. Kjo shkollë e lartë në gjuhën popullore është quajtur Shkolla e Dokos”. I gjithë kampusi i Universitetit Bujqësor është ngritur në pronat e familjes Qiriazi dhe Dako. Do të ishte në nderin e tyre që këto figura me trashigimi të jashtëzakonshme të lartësoheshin në institucione e rrugë.
Me këtë rast, më lejoni t’ju falenderoj edhe për dhurimin e botimeve të Akademisë së Shkencave për fondin e biblotekës tone, çka është pjesë e marëveshjes së nënshkruar në vitin 2019 ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Universitetit Qiriazi.
Prof. Gjokë Uldedaj
Universiteti Qiriazi
KOHA JONË SONDAZH

