Gjosha: 3 minuta nga përgjimet e VOA-s flasin më shumë se çfarëdolloj reforme
Ish-deputetja e Lëvizjes Socilaliste për Integrim, njëkohësisht ish-ministre e Integrimit Klajda Gjosha në një intervistë për “Vizion Plus” ka komentuar deklaratat e sotme nga drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson.
Po citoj Drejtorin e KE. Ai thotë që bojkoti është jo produktiv. Si e përballon opozita këtë goditje të përsëritur nga partnerët ndërkombëtarë?
E para, kjo nuk është një goditje dhe nuk duhet lexuar në asnjë moment si i tillë. Është një komunikim shumë i sinqertë mes palësh, të cilët tashmë kërkojnë të gjejnë një zgjidhje për të gjithë situatën politike të krijuar në vend. Gjithë kapjen e shtetit, si duhet çliruar kapja e shtetit, si duhet të vazhdohet më tej për të arritur standardet evropiane në Shqipëri. E dyta, unë do të kisha dashur që ekspertët e Komisionit Europian, ta ndihmonin sot z. Danielson për ti shpjeguar atij se nuk bëhet më fjalë për bojkot. Bëhet fjalë për djegie të mandateve. Pra gjithsecili prej nesh sot nuk ka bojkotuar Parlamentin. Ne jemi pa imunitet, nuk jemi më deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, pra është niveli më i avancuar tashmë, ndoshta edhe i paparë ndonjëherë të paktën në rajonin tonë, apo aq më tepër në BE, ku në fakt demokracia funksionon, shteti i së drejtës funksionon dhe normal që nuk mund të konceptohet një akt i tillë. Unë e kam quajtur gjithmonë që është me patjetër një akt ekstrem. Por përse ka ndodhur kjo? Ka ndodhur, sepse ne kemi përballë një njeri që fatkeqësisht sot ka të gjitha pushtetet në dorë. Por nuk mund të funksionojë kështu. Sot Parlament nuk ka më! Është një institucion, i cili nuk funksionon më, nuk ekziston. Pse? Sepse duhet të ketë check and balance që e quajmë ne, të cilat u rrëzuan të gjitha dhe opozita nuk kishte më asnjë mjet ligjor, jo për ta luftuar mazhorancën, por për të kërkuar llogari drejt mazhorancës. Akti i fundit ligjor që ne mund të kishim në dorë ishte pikërisht drejtimi drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila ka më shumë se një vit e gjysëm që nuk ekziston. Atëherë më thoni se cila është vlera e një mandati të një deputeti të opozitës sot, kur kuptohet që edhe kartonat në atë Parlament dihet mirë që opozita nuk i ka.
Megjithatë, partnerët ndërkombëtarë nuk janë të bindur, ku citoj përsëri Danielsonin, Drejtorin e zgjerimit në BE, që thotë: “Vendimin e opozitës për të djegur mandatin ndikon në rrugën drejt BE-së”. Për opozitën është prioritet rrëzimi i Kryeministrit apo integrimi i vendit në BE?
Këta janë njerëz me të cilët unë kam punuar 4 vite të jetës sime, gjatë kohës që kam qenë ministre e Integrimit dhe unë i kuptoj e respektoj shumë në punën e tyre, në ndihmën dhe në partneritetin që ata kanë treguar me Shqipërinë. Por ka një problem. Gjithmonë dialogu mes nesh edhe gjatë kohës që unë kam qenë ministre, është për të kuptuar realitetin në Shqipëri. Në një vend europian, nëse do të kishte akuza për zgjedhje jolegjitime, për vjedhje të votës, për krimin e organizuar, si pjesë e zgjedhjeve në Shqipëri, e zgjedhjeve jo të lira, jo të ndershme aty ku ne duam të arrijmë, atëherë do të funksiononte drejtësia. Sepse po të komunikosh me çdo ndërkombëtar të cilin e ke përballë thotë: Po le të flasë drejtësia! A është e mundur të flasë drejtësia në Shqipëri? A ka sot një hetim për dosjen 339 dhe 184? A është thirrur sot z. Dako në Prokurori për të dëshmuar për ato përgjime që ka treguar Zëri i Amerikës vetëm pak kohë më parë. Besoj që vetëm tre minuta nga përgjimet e Zërit të Amerikës flasin sot më shumë se çfarëdolloj reforme zgjedhore për të cilën mund të diskutojmë ne, apo ndryshim ligjor mbi bazën e të cilës mund të diskutojmë ne. Ndaj dhe në Shqipëri sot duhet të diskutohet për shtetin e së drejtës. Reforma n drejtësi ku ne besuam aq shumë, ku ne dhamë të gjitha votat tona me besimin e plotë se do të ndodhte diçka ndryshe, në fakt sot e ka humbur besimin.
Një koment që vjen nga kampi i shumicës është se për destabilizim në rajon dhe në Shqipëri është e interesuar një fuqi e madhe botërore që është Rusia. Gjë që lë të kuptosh që ata që e artikulojnë bëjnë një lidhje mes asaj që po bën opozita dhe këtij interesi të kësaj fuqie të madhe. Një opinion i juaj?
Unë do të ndaja me ju, nuk është opinion por një konstatim imi, sa herë mazhoranca është ndodhur në vështirësi ka përdorur një tezë të tillë. Ka përdorur një tezë që një fuqi e madhe siç është edhe Rusia mund të ketë një dorë edhe në destabilizimin e Ballkanit, edhe në destabilizimin e Shqipërisë. Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në ndikimin rus, të asnjë force politike dhe kjo është absolute dhe duhet ndarë njëherë e mirë Shqipëria dhe shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Sot Shqipëria është një vend i NATO-s dhe është drejt një rrugëtimi të vërtetë të procesit të integrimit evropian.
A jeni ju si LSI të shqetësuar për atë që quhet ‘shthurje’ e anëtarëve të listave tuaja, të cilët po rendin drejt Parlamentit të zënë vendet që ju keni lënë bosh?
Absolutisht jo. Ajo është një zgjedhje e atyre kandidatëve që kanë qenë në lista. Është zgjedhje e tyre personale. E dinë ata se si do të përballen me opinionin publik, me zgjedhësit dhe me gjithë qytetarët shqiptarë që sot janë në anën e opozitës. Opozita këtu është e bashkuar, ka marrë një vendim i cili është një vendim i madh politik që ka ndodhur për herë të parë në Shqipëri dhe më besoni që mund të quhet edhe sakrificë deri diku nga ana e të gjithë deputetëve të opozitës, të djegësh një mandat që e ke fituar me shumë mund edhe përballë bandave, edhe përballë parave të shumta që janë hedhur drejt zgjedhjeve dhe ne kemi mund të marrim ato vota.
Sikur po bëhen disi si shumë ata që po ju zëvendësojnë…
Nuk besoj se janë shumë, por sado që të bëhen, duhet të kuptoni që Parlamenti nuk është më legjitim dhe është anti-kushtetues.