Gjovalin Shkurtaj: Deputetët shqiptarë t’i nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe
Akademia e Shkencave ka kërkuar që të krijohet një fjalor i plotë për gjuhën shqipe dhe një ligj që ta mbrojë atë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj është i mendimit se duhet t’u japim votën politikanëve, duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes.
“Madje para se të marrin mandatin ata duhet ti nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe dhe ata duhet të marrin notë mbi 8-të që të kalojnë. Por kjo nuk vlen vetëm për politikanët por për të gjithë administratën publike”- tha gjuhëtari i njohur.
Sipas gjuhëtarit Shkurtaj duke parë fjalimet e deputetëve në parlament, të gjithë ne jemi dëshmitarë për mungesën e theksuar të njohurive elementare lidhur me gjuhën shqipe.
Që në kohën kur u themelua shteti shqiptar, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe. Por, duket se me kalimin e viteve gjithmonë e më pak të punësuarit po testohen në këtë drejtim.
Më herët në librin e tij “Urgjenca gjuhësore”, prof. Shkurtaj ka trajtuar problemin e barbarizmave dhe huazimeve që fare mirë mund të jenë të zëvendësueshme me fjalë shqipe.
Ky është një problem që vihet re edhe përsa i përket teksteve të shumë artistëve të rinj, që bëjnë një ndërthurje mes shqipes, italishtes, anglishtes apo gjuhëve të tjera. /TCh