Gjuhët e huaja kundër mesatares: Të mos kategorizohemi si mësuesi
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja del kundër kriterit të mesatares 7.5 për pranimin e studentëve. Dekanati i këtij fakulteti i është drejtuar me një letër Ministrisë së Arsimit ku kërkon që të mos kategorizohet si fakultet mësuesie. Në letrën që mban datën 15 tetor, dekani Artur Sula kërkon rishikimin e kategorizimit nga fakultet i mësuesisë, në fakultet të formimit profesional më të gjerë.
“Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në ciklin e parë ka 8 programe studimi. Të gjitha këto programe kanë si qëllim përgatitjen e studentëve në formimin e përgjithshëm dhe nuk ka asnjë program që të lëshojë diploma për mësuesi në bachelor”, shkruhet në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe sporteve.
Në letrën e protokolluar me numër 1402, drejtuesit e fakultetit rendisin edhe programet në nivel Bachelor, si dhe bëjnë një diferencim për programin mësuesi master. Pak javë më parë, edhe Universiteti i Mjekësisë doli kundër mesatares së shkollës së mesme dhe kërkoi rikthimin e konkursit me argumentin se rezultatet e studentëve tregojnë për nota fiktive në gjimnaze.