Gjykata, dy vite burg ish-sekretarit të Koço Kokëdhimës Agron Cane

Ish-Sekretari i zyrës së deputetit Koço Kokëdhima në Sarandë u ndalua nga policia më 16 gusht, pas denoncimit të shtetases me iniciale E.G, se ai kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune.  Në seancën e zhvilluar ditën e sotme me dyer të mbyllura, gjykatësja Ketra Bajrami ka pranuar kërkesën e Prokurorit Sali Hasa dhe ka dënuar në përfundim me 2 vjet burg, Agron Canen. Prokuroria e Sarandës, në konkluzionet e saj përfundimtare, kërkoi dënimin me 3 vjet burg për veprën penale të “Ngacmimit Seksual” dhe 1 vit burgim për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.” Në bashkim të dënimeve, Prokuroria e Sarandës kërkoi një dënim përfundimtar me 3 vjet burg.  Duke qenë se gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, Cane përfiton uljen 1/3 e dënimit dhe përfundimisht gjykata e rrethit gjyqësor Sarandë e dënoi me 2 vjet burgim. Ndërkohë ky i fundit, nuk ka folur apo kundërshtuar vendimin e gjykatës.

SHKARKO APP