Gjykata e Apelit Tiranë lë në qeli Tire Alldervishin
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë ”arrest me burg” për sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, e cila u arrestua për marrjen e 800 mijë lekëve të reja nga familjarët e një pacienteje me Covid, e cila më pas ndërroi jetë.
58-vjeçarja akuzohet për mashtrim të pacientëve më shumë se një herë. Shuma ishte marrë nga familjarët e një pacienteje, për shërbimet ndaj nënës së tyre, që ishte e shtruar në spitalin Covid-2, e cila humbi jetën pas 28 ditësh luftë më këtë sëmundje.
Sipas prokurorisë, hetime janë duke u kryer edhe për veprimtarinë e punonjësve të tjerë të Spitalit, pasi ka dyshime nga aktet e deritanishme që mund të kemi një skemë të mirëfilltë zhvatje. Deri më tani, nuk ka persona konkretë nën hetim, por do verifikohen nëse është veprimtari më e gjerë. Pamjet e transmetuara nga emisioni “Stop” tregonin rrëfimin e vajzës së të ndjerës dhe mesazhet që shkëmbente me sanitaren, e cila prezantohej si infermiere.