Gjykata e Arbitrazhit: Shqipëria të pezullojë ekstradimin e Becchetti-t

Me një urdhër unanim dhe historik të lëshuar të premten në Uashington DC, pas një seance dëgjimore të arbitrazhit përpara Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet (“ICSID”), Qeverisë së Shqipërisë i është kërkuar të “ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar” procedurat e ekstradimit në Londër kundër Francesco Becchetti-t, pronarit të Agon Channel TV dhe Mauro De Renzis, administratorit.

Trupa e Gjykatës së Arbitrazhit e përbërë nga tre anëtarë, rekomandoi gjithashtu që Shqipëria të pezullojë procedurat vijuese penale kundër Paditësve të kësaj çështjeje dhe që të dyja palët të arrijnë në një marrëveshje mbi ruajtjen e aseteve te Paditësit, që kanë qenë të sekuestruara nga shteti Shqiptar, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së arbitrazhit. (Çështja ICSID nr. ARB/15/28 – Hydro Srl, Costruzioni Srl, Francesco Becchetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti, kundër Shqipërisë).

Përpara vendimit të së Premtes, asnjë Trupë e arbitrazhit të ICSID nuk ka vendosur më parë masë pezullimi të procedurave të ekstradimit dhe ka vetëm tre raste të njohura të Trupave të arbitrazhit të ICSID që kanë urdhëruar pezullimin e procedurave penale. Në vendimin e saj – të lëshuar më pak se një muaj pas seancës dëgjimore mbi masat e sigurimit të padisë – Gjykata e Arbitrazhit kërkoi pezullimin, duke vënë qartësisht në dukje se “çdo ndalim i procesit të hetimit ose procedimit ndaj një sjelljeje që në mënyrë të arsyeshme dyshohet të jetë me natyrë kriminale, mund të vendoset vetëm kur është absolutisht e nevojshme” dhe konfirmon se “jemi pikërisht përpara këtij rasti”.

Paditësi iu drejtua arbitrazhit të ICSID për shkeljet e Traktatit Dypalësh për Mbrojtjen e Investimeve Shqipëri-Itali (“BIT”), pas një një sërë sulmesh dhe persekucionesh të vazhdueshme kundrejt tyre dhe investimeve të tyre, ku përfshihen dy kanale televizivë dhe një hidrocentral. Një nga Paditësit, Hydro Srl, është gjithashtu i përfshirë njëkohësisht në një çështje arbitrazhi pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë ICC, ku ka paditur Shtetin Shqiptar për shkeljet e Marrëveshjes së Konçesionit për hidrocentralin.

Paditësit, në çështjen e arbitrazhit në ICSID, kanë argumentuar që, si kundërpërgjigje ndaj kërkimit të së drejtës së tyre në arbitrazh, Shteti Shqiptar vazhdoi të lançonte një sërë hetimesh tatimore “të pathemelta dhe abuzive” kundrejt tyre dhe investimeve të tyre vendase, sekuestruan asetet e tyre në Shqipëri dhe lëshuan urdhëra arresti kundër Francesco Becchetti-t dhe Mauro De Renzis, duke kërkuar ekstradimin e tyre nga Mbretëria e Bashkuar.

 Kush është Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet (ICSID)

ICSID është një institucion arbitrazhi që merret me zgjidhjen dhe pajtimin e mosmarrëveshjeve mes investitorëve ndërkombëtarë. ICSID është një anëtar i Grupit të Bankës Botërore, nga e cila financohet dhe e ka selinë në Uashington DC, në Shtetet e Bashkuara. Është themeluar në vitin 1966 si një institucion autonom, shumëanësh, i specializuar, për të inkurajuar fluksin ndërkombëtar të investimit dhe për të lehtësuar risqet jo-tregtare nga një traktat i hartuar nga drejtuesit ekzekutivë të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin dhe i firmosur nga vendet anëtare. Në vitin 2012 janë shënuar 158 vende anëtare, përfshirë Shqipërinë, të cilat kanë nënshkruar kontratë dhe i janë drejtuar ICSID. Shtetet anëtare që kanë nënshkruar kontratën kanë rënë dakort të përforcojnë dhe mbështesin vendimet e arbitrazhit në përputhje me Konventën e ICSID.

SHKARKO APP