Gjykata e Durrësit rrëzon akuzat, dy pedagogë “çlirohen” nga korrupsioni

Korrupsioni nuk ekziston si fenomen në Shqipëri. Nëse prokuroria ngre ndonjë akuzë të rrallë për ndonjë zyrtar të korruptuar, gjykatësit janë gati t’i rrëzojnë provat, sikurse ka ndodhur së fundmi me dy pedagogë të Universitetit të Durrësit.     

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar pjesën më të madhe të akuzave të Prokurorisë, të provuara me fakte konkrete, kundër dy pedagogëve të Universitetit të Durrësit, të gjykuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv…”. Prokuroria kërkoi dënimin me 5 vjet e 2 muaj burgim për shtetasin Endrit Sina dhe 4 vjet e 8 muaj burgim (të zëvendësohej me 5 vjet shërbim prove) për shtetasen Odeta Tota, pasi, sipas provave të mbledhura gjatë hetimit dhe të paraqitura në gjykim, rezultonte se i kishin marrë studentëve të ndryshëm shuma deri një 150 euro për dhënien e notave pozitive në provim.

Por, pavarësisht provave të faktuara, gjykata nuk ka pranuar një pjesë të tyre, duke zbutur masën e dënimit për dy pedagogët; konkretisht, duke vendosur për nga 18 muaj në shërbim prove për secilin prej tyre.

Po ashtu, pavarësisht se ka pranuar kërkesën për shpalljen fajtore edhe të dy studenteve, bashkëpunëtore të pedagogëve, të akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm…”, gjykata ka zbutur ndjeshëm masën e kërkuar nga Prokuroria e Durrësit, duke i dënuar me shërbim prove shtetaset Merushe Bocerri dhe Melsa Doçi, për të cilat ishte kërkuar dënimi përkatësisht me 2 vjet e 4 muaj dhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

Në vija të përgjithshme, Prokuroria e Durrësit e akuzonte pedagogen Odeta Tota për të paktën 3 episode korrupsioni, nga të cilat, pavarësisht provave, gjykata ka pranuar vetëm në njërin rast. Për dy rastet e tjera, Prokuroria ka paraqitur në gjykim argumentat, të cilat janë rrëzuar.

Shtetasja Odeta Tota ëshë gjetur fajtore vetëm për rastin e dhënies së tezës së provimit, në këmbim të parave, për rastin e studentes B.Ç. Dhe, vetëm për këtë rast, gjykata ka vendosur dënimin e saj me 18 muaj qëndrim në shërbim prove dhe pezullimin nga detyra për një vit (ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar si dënim plotësues heqjen 5 vjet të të drejtës së ushtrimit të funksionit publik).

Sa i përket pedagogut Endri Sina, në vija të përgjithshme, Prokuroria e Durrësit e akuzonte për të paktën 2 episode korruptive, si edhe për “shpërdorim detyre…”.

Gjykata e Durrësit ka pranuar akuzat e Prokurorisë për veprën “korrupsioni…”, ku u provua se, në dy rastet, në këmbim të shumave të parave, u ka dhënë notë kaluese në lëndën “Anatomi Humane”. Por, ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë së Durrës për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës…”. Këtë akuzë, Prokuroria e provoi gjatë gjykimit me argumentat që, tezat e provimeve vlerësoheshin në shtëpinë e pedagogut nga një studente e sistemit master, Melsa Doçi, e cila edhe ajo, gjatë gjykimit, ka rezultuar bashkëpunëtore e dy pedagogëve për ndërmjetësinë ndërmjet tyre dhe studentëve në dhënien e parave në këmbim të notës kaluese në provime.

Duke rrëzuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës…”, gjykata e Durrësit ka zbutur në këtë mënyrë masën e dënimit të kërkuar nga Prokuroria, duke e dënuar përfundimisht pedagogun Endrit Sina me 18 muaj në shërbim prove dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksionit publik për 1 vit (prokuroria kishte kërkuar si dënim plotësues, krahas burgimit, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksionit publik për një periudhë 6-vjeçare.

 

SHKARKO APP