Gjykata e Lartë drejt funksionimit të plotë, Naureda Llagami flet për sfidat e sistemit gjyqësor në Shqipëri
Në Shqipëri, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, thotë se me emërimin e 4 kandidaturave që i janë propozuar Presidentit, Gjykata e Lartë mund të ushtrojë plotësisht funksionet e saj.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zonja Llagami, flet për herë të parë për situatën në sistemin gjyqësor, vështirësitë e krijuara nga largimi i një numri të madh gjyqtarësh për shkak të Vettingut, si dhe propozimin për riorganizmin e Gjykatave të vendit.
Intervista:
Zëri i Amerikës: Zonja LLagami, faleminderit për këtë intervistë, e cila përkon dhe me një moment të rëndësishëm të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ju i keni dërguar Presidentit, emrat e 4 anëtarëve të rinj të Gykatës së Lartë. Praktikisht, me këtë akt numri i anëtarëve të Gykatës shkon në 7. Çfarë ndryshon në veprimtarinë e kësaj Gjykatë me emërimin e këtyre 4 anëtarëve të rinj, pasi sidoqoftë, në përbërjen e saj janë parashikuar 19 anëtarë?
Naureda Llagami: Në radhë të parë faleminderit që pata mundësi të komunikoj me ju por dhe me publikun lidhur me këtë ngjarje kaq të rëndësishme, që në aspektin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është një nga arritjet e KLGJ-së, por jo vetëm, por edhe Reforma në Drejtësi. Ajo gjë që e kemi artikuluar dhe është një gjë që të gjithë mezi po e presim, dhe kjo është një nga arritjet e Reformës në Drejtësi.
Eshtë e vërtetë. Ne sot kemi marrë një vendimarrje shumë të rëndësishme, mund ta them një vendimarrje historike, pasi po lancojmë dhe po propozojmë presdientit të Republikës, 4 kandidaturat nga rradhët e Gjyqësorit në Gjykatën e Lartë në Fushën e të drejtës penale.
Procesi për përzgjedhjen e tyre, më lejoni të shpjegoj pak se është shumë e rëndësishme të kuptojë dhe publiku, se është një proces shumë transparent, shumë objektiv ku u përzgjodhën ata kandidatë që jo vetëm kishin kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar (të ashtuquajtur Vetting), por nga ana tjetër, dhe në aspektin e profesionalizimit, janë kandidatët të renditur më mirë dhe tregojnë një nivel shumë të lartë profesionalizimi, të denjë për të qenë në atë Gjykatë.
Çfarë ndryshon me Gjykatën e Lartë. Ne para një viti, dhe mund të jetë fiks para një viti, kur kujtoj datat, i dërguam Presidentit 3 propozime, nga rradhët e jursitëve të spikatur, për të cilët, në fakt, edhe kjo ishte një arritje shumë e madhe e Këshillit, sepse Gjykata e Lartë ka një kompozim ndryshe nga dikur dhe kjo falë Reformës. Sot Gjykata e Lartë, përfaqësohet më shumë ose përbëhet më shumë nga gjyqtarë se sa nga jashtë gjyqësorit. Koncepti që ka sot Gjykata e Lartë është një koncept gjykatë karriere dhe legjislatori është kujdesur që në këtë gjykatë, të shkojnë profilet më të larta, si nga jashtë sistemit ashtu dhe brenda sistemit.
Tashmë në Gjykatën e Lartë, ne kemi 7 gjyqtarë, do të kemi shumë shpejt 7 gjyqtarë. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë mund të themi pa hezitim, është funksionale plotësisht, sepse me një numër 7 gjyqtarësh, kjo Gjykatë ka kuorumin e mjaftueshëm për të ushtruar funksionin e saj si në aspektin e rishikimit të vendimeve të gjykatave më të ulta, po ashtu dhe në atë që është më e rëndësishme në njehsimin dhe unifikimin e praktikave. Me këtë kuorum kjo gjykatë mund të vijojë punën e saj, që është diçka që ne e kemi shumë të nevojshme në këto momente.
Zëri i Amerikës: Zonja Llagami, megjithatë, për të arritur deri këtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor, është përballur me kritika, kujtoj dhe nga Presidenti, por dhe përfaqësues të parlamentit, pikërisht për vonesat në emërimin apo përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të rinj, duke qenë se procedurat kanë patur një kohëzgjatje deri diku te një vit, apo në rastin e anëtarit të katërt nga radhët e jo gjyqësorit, ka shkuar dhe më tej. Pse ka ndodhur kjo?
Naureda Llagami: Më lejoni t’ju them që KLGJ është konstituuar në 20 Dhjetor të 2018. Dhe ashtu sikurse legjislatori kishte parashikuar, ne nuk u konstituuam në kohën e duhur, por 1 vit e gjysëm me vonëse, ndërkohë që procesi i ashtuquajtur i Vettingut kishte filluar të krijonte efektet e tij. Dhe në çastin që unë së bashku me kolegët e mi, erdhën në këtë godinën dhe nisëm punën, pa diskutim ne vendosëm prioritetet tona, dhe prioritet për ne ishte Gjykata e Lartë në atë kohë. Kujtoj që në Gjykatën e Lartë kishin mbetur vetëm 3 gjyqtarë, dh për 6 muaj në atë gjykatë mbeti vetëm një gjyqtar.
Gjatë gjithë kësaj kohe, KLGJ u përpoq të merrej me hartimin e kuadrit nënligjor. Gjëja për të cilën ne jemi kujdesur gjatë gjithë kohës, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ishte të krijonim standarte dhe të ishim sa më transparent në të gjithë këtë procedure. Ishte një sfidë shumë e madhe, sepse u ballafaquam me një kuadër të ri ligjor, me rregulla të reja, dhe mënyra se si ne do t’i zbatonim, kjo do të shënonte dhe standartet për KLGJ. Prandaj ne kemi ecur me hapa të vegjël, unë e them gjithmonë, por të sigurtë.
Përveç kësaj, duhet të pranojmë që procesi ishte një proces që nisi në korrik të vitit 2019 me hapjen e thirrjes për pozicionet, më pas ishte një proces që kërkonte kohën e nevojshme për verifikimin e këtyre figurave, verifikim i cili do të ishte në disa komponentë. Për herë të parë në Shqipëri po zhvillohej verifikimi jo vetëm në aspektin profesional, por do të ishte një verifikim në kriterin e pasurisë që lidheshin me integritetin, por dhe në aspektin e figurisë, dhe këto lloj verifikimesh dhe gjithë këto procedura komplekse, por të nevojshme për të shkuar në rrugën e duhur, pa diskutim kërkonin kohën e nevojshme. Dhe ajo që kishim si një barrë ne supet tanë, ishte që ne duhet të çojmë kandidatë, të denjë për të patur atë pozicion.
Unë e mirëkputoj shumë mirë qasjen që ka publiku, sepse nëse sot jemi në zbatim të kësaj reforme, është pikërisht nga humbja e besimit të publikut. Dhe ajo që duam të bëjmë është që nuk duam ta cënojmë dhe ta shtojmë më tej këtë humbje, por përkundrazi me veprimet tona të rrisim besimin e publikut te sistemi.
Një sfidë të tillë patëm dhe me kandidaturat nga sistemi gjyqësor. Pavarësisht se morëm masat për hartimin e të gjithë kuadrit rregullator, sepse bëhet fjalë për rregullore, metodologji si do vepronim për pikëzimin dhe për vlerësimin e gjyqtarëve, e cila më lejoni t’ua them është tërësisht ndryshe nga ajo e aplikuar më parë, për shkak të një kuadri shumë bashkëkohor. Gjithsesi ne u vendosëm në pozitën që duhet ta aplikonim dhe duhet ta bënim këtë gjë me të gjithë gjyqtarët. Problemi që kishim, sa i përket gjyqtarëve, është se ndërthurreshin procedurat tona me atë të rivlerësimit kalimtar. Kurrsesi ne nuk do të donim t’i propozonim Presidentit kandidatura që nuk kishin kaluar me vendim të formës së prerë procesin e rivlerësimit. Sepse ky është standarti që ne duam. Këtë e ka artikuluar dhe Komisioni i Venecias në vendimin e tij.
Nuk mundemi ne dot në kushtet ku jemi, kur sistemi po boshatiset nga institucionet e Vettingut, të propozonim kandidatë në Gjykatën e Lartë të cilët nuk e kanë kaluar Vettingun. Gjithashtu të çonim nga radhët e juristëve të spikatur individë të cilëve nuk u është bërë një verifikim i plotë në të gjithë komponentët, të cilët janë të nevojshëm.
Të gjithë këto procese ishin procese komplekse, që po bëhen për herë të parë, duhet ta pranojmë. Dhe të gjitha këto sollën deri diku dhe një vonesë. Mos të harrojmë dhe faktin tjetër se patëm dhe situata të paprecedenta, viti i pandemisë, i cili mirë keq në të gjithë sektorët kemi një zvarritje të proceseve. Dhe ky vit pati një ndikim jo vetëm në veprimtarinë e KLGJ, por dhe në të gjithë sistemin e Drejtësisë.
Megjithatë unë jam besimplotë se nga ky moment, Këshilli është duke punuar në mënyrë shumë intensive për të arritur kuorimin e nevojshëm që i duhet Gjykatës së Lartë dhe plotësimin e plotë të saj.
Zëri i Amerikës: Po, pikërisht për këtë doja t’ju pyesja, duke qenë se në një farë mënyrë, me fatin e Gjykatës së Lartë është i lidhur dhe plotësimi i 3 vendeve të tjera të Gjykatës Kushtetuese. Tani që ju keni hyrë në këtë proces, u bë kohë, kur mendoni se do mund të plotësohet apo të arrihet ai kuorum i nevojshëm që do të ndihmonte dhe në plotësimin e vendeve në Gykatën Kushtetuese, sepse ndërkohë ju ende nuk keni hapur thirrjet për 3 vende të tjera në Gjykatën e Lartë?
Naureda Llagami: Më vjen mirë që më bëni këtë pyetje sepse është dhe momenti që unë të sqaroj publikun për situatën. Kuorumi i nevojshëm që duhet për të propozuar, Gjykata e Lartë si organ emërtese, kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese, është 15 gjyqtarë. Nëse ne shohim në mënyrë të kujdesshme, KLGJ ka hapur 11 pozicione nga Gjyqësori dhe 4 pozicione nga jashtë sistemit. Që do të thotë se në total ne arrijmë kuorumin e nevojshëm…..
Procesi që ne kemi tani është procesi i vlerësimit të gjyqtarëve që sikurse shpjegova më parë është një proces kompleks dhe jemi në varësi dhe të procesit të Vettingut .
Nga ana tjetër në cilësinë e kryetares së KLGJ jam në bashkëpunim me institucionet e Vettingut për t’i përfshirë kandidatët që vijnë për në Gjykatën e Lartë në listë prioritare.
Unë besoj se shumë shpejt do kemi prurje nga dy pozicionet që kemi në fushën e të Drejtës administrative që përkojnë me muajin prill dhe shumë shpejt deri në qershor, korrik ne mund të krijojmë kuorumin e nevojshëm për Gjykatën Kushtetuese.
Lidhur me hapjen e tre vendeve të tjera, ne kemi menduar t’i hapim shumë shpejt, pasi të çojmë disa prurje në Gjykatën e Lartë, pasi duke parë edhe plotësimin e vendeve në Gykatat e Apelit kemi një hezitim të trupës gjyqësore për të aplikuar për ngritjen në detyrë. Le të themi që janë po të njejtat persona që aplikojnë në të gjitha pozicionet dhe kemi dashur që kjo lloj prurje të shtohet, të kishim më shumë kandidatë, më shumë përzgjedhje dhe pse jo, më shumë cilësi në sistem, sidomos në procesin e ngritjes në detyrë.
Zëri i Amerikës: Në fakt, zonja Llagami, ne folëm për Gjykatën e Lartë, po nuk është vetëm ajo që i ka këto probleme, me mungesë të gjyqtarëve. Eshtë një problematikë që po shihet në të gjitha nivelet. Ju si keni menduar të përballeni me këtë situatë, për të zgjidhur këtë ngërç, i cili nuk është një ngërç thjesht momental, sepse vazhdon procesi i Vettingut, dhe është një proces që po vazhdon të largojë gjyqtarë nga sistemi?
Naureda Llagami: Kjo është shumë e vërtetë, dhe ky është shqetësimi ynë i përditshëm, sepse veç çështjes së Gjykatës së Lartë, e cila është priortet për të gjithë ne, situata tjetër që kemi janë vakancat që na krijohen në sistem, dhe për momentin këto vakanca janë të theksuara në nivelin e Apelit, kjo sepse mënyra se si institucionet e Vettingut kanë vepruar, është që kanë filluar listën e përparësisë, nga gjykatat më të larta në ato më të ulta, do të thotë që edhe prurjet nga Shkolla e Magjistraturës nuk na zgjidhin situatën që ekziston në Apel nëse ne nuk kemi ngritje në detyrë, apo nuk kemi gjyqtarë të mjaftueshëm për t’I dërguar në Apele.
Që në fillim, ne kuptuam se Apelet do të prekeshin shumë shpejt. Dhe sot, më lejoni t’ju jap disa shifra. Nga 78 që janë gjyqtarë në nivelin e përgjithshëm të Apeleve, pa përfshirë gjykatën e Posaçme dhe Gjykatën Administrative, ne kemi aktualisht 27 gjyqtarë në detyrë, që do të thotë se kemi vetëm 27 gjyqtarë që japin përditë Drejtësi.
Situata në fakt është shumë shqetësuese dhe Këshilli duke e paraprirë këtë situatë, nisi direkt të merrte masat e nevojshme. Mund t’ju rendis disa masa që ja kemi propozuar të gjithë bashkëpunëtorëve tanë.
Që në muajin e dytë të konstituimit, një nga hapat që morrëm ishte ngritja e një grupi pune, për hartimin e hartës gjyqësore. Çfarë është harta gjyqësore? Harta gjyqësore ka të bëjë me riorganizmin e gjykatave, përcaktimin e madhësive, por në funksion te eficiencës. Logjika është si të japësh një shërbim cilësor për qytetarin dhe si ky shërbim të jetë efiçent, jo vetëm në aspektin e burimeve njerëzore por dhe kostove.
Grupi i punës punoi intensivisht, për më shumë se një vit dhe kemi arritur në një rezultat konkret i cili adreson shumë mirë këtë situatë. Ne kemi sot shumë Gjykata të vogla që për shkak të lëvizjeve demografike që ka pësuar vendi, nuk e justifikojnë ngarkesën me numrin e punonjësve dhe buxheti që marrin. Ndërkohë që kemi Gjykata me të njejtën madhësi që kanë një ngarkesë pune shumë më të madhe. Pra ekziston kjo lloj pabarazie dhe për këtë arsye është riorganizimi gjyqësor, plus dhe situara e Vettingut, e cila është një faktor I shtuar në këtë gjendje,
Atë që ka propozuar grupi I punës, është qendërzimi i gjykatave, bashkimi i gjykatave duke bërë të mundur që burimet njerëzore në raport me ngarkesën të jenë në raport të drejtë.
Eshtë mbajtur parasysh dhe aksesi në Drejtësi, që është një e drejtë themelore e çdo qytetari, por shpesh ky akses nuk do të thotë që këto Gjykata të jetë në derën e shtëpisë. Akses në Drejtësi do të thotë që qytetari të ketë mundësi të marri shërbimin në kohë dhe me cilësi.
Zëri i Amerikës: Pikërisht për këtë çështje ju keni një farë debati, nuk po them përplasje, me Ministrinë e Drejtësisë. Qasja e Këshillit duket paksa më radikale se sa ajo që kërkon Ministria. Pak ditë më parë ministrja Etilda Gjonaj, duke folur për Zërin e Amerikës, shpjegoi që ajo nuk ishte dakort me një ndërhyrje kaq të fortë nga ana juaj, e ndoshta do kishte qenë më mirë që ky riorganizim të bëhej në disa faza…
Naureda Llagami: Nuk besoj se kemi qasje të kundërta sepse qëllimi besoj është i njejtë. E para kemi pranuar që ka nevojë për riorganizim, dhe e dyta është se si t’I mundësojmë qytetarit shqiptar që të marrë shërbimin e duhur nga gjykata, pikërisht ajo për të cilën kjo reforma u bë.
Mënyra se si ne e përafrojmë idenë tonë, është ajo që ne mendojmë në këto momente kur Vettingu ka krijuar shumë vakanca, kemi menduar që duke qendërzuar, dhe këtu bëhet fjalë kryesisht për Gjykatat e Apelut do të lejonte më shumë që qytetari të merrte shërbim.
Pse e them këtë? Sot kemi një situatë ku ne kemi 6 Gjykata të Apelit të Përgjithshëm dhe po t’i hedhim një sy numrit të gjyqtarëve, kemi një situatë ku gjyqtarët në këto gjykata për shkak të Vettingut nuk janë më në detyrë dhe praktikisht puna në këto gjykata është pezulluar, jemi në ritme të pezulluara për mungesë gjyqtarësh. Dhe ne çfarë bëjmë si Këshill? Ne mundohemi të marrim dhe të caktojmë gjyqtarë nga Gjykatat e tjera për të plotësuar trupat në këto gjykata, që të vazhdojnë funksionin.
Kjo situatë do të vazhdojë e tillë, siç ne e shohim, derisa të kemi një ide se sa do të jetë numri total i gjyqtarëve të nevojshëm për sistemin, për ngarkesën e çështjeve për numrin e popullsisë. Këshilli e ka të pamundur në këto moment që ta përcaktojë këtë numër, sepse kemi Vettingun. Dhe unë sot po të më bësh një pyetje se sa gjyqtarë kemi në sistemi unë duhet të kontrolloj cdo ditë situatën e Vettingut për të kuptuar se sa na mbeten akoma në sistem.
Sikurse ju thashë, është pikërisht kjo lloj qasje që kemi, menduam se një nga mekanizmat që mund të adresojmë, qoftë për një periudhë kalimtare, sa jemi në procesin e Vettigut, do të jetë përmes hartës gjyqësore , duke qendërzuar gjyatat, në kuptimin e shërbimeve, por duke mundësuar që qytetari të marrë shërbim. Sepse Gjykata si e Tiranës sot, po kalojnë një stres shumë të madh, se stoku sa vjen e rritet.
Ndërkohë në Gjykatat e tjera, po flas në nivelin e Apelit sepse kjo është shqetësuese sot, qytetari mund të arrijë ta marrë shërbimin në një kohë më të shkurtër se sa në Gjykatën e Tiranës. Kjo nuk është e drejtë sepse 74 përqnd të ngarkesës apo çështjeve janë në qytetin e Tiranës. Dhe në këtë kuptim ajo që ne kemi menduar, është që të vlerësohet, në kushtet kur jemi të pamundësisë së vlerësimit të numrit total të gjyqtarëve dhe të një shpërndarje të drejtë, le të qendërzojmë gjykatat. Çfarë mundësishë krijon? E para që shërbimi të jetë I njëjtë në të gjithë vendin, dhe e dyta, ajo që është më e rëndëishmja është se qytetarët do marrin shërbim.
Një faktor tjetër që ne mendojmë se do ta rishikojmë më pas, është që kur Vettingu të ketë mbaruar, atëherë mund të rishikojmë dhe një herë një rishpërndarje më të drejtë të burimeve njerëzore.
Nga ana e Këshillit ky është një vlerësim i bërë nga rgupi I punës, nga ekspertë dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Jemi në një proces dialogu me Ministrinë e Drejtësisë, se padiskutim kjo ka dhe kostot e veta financiare. Por në qasjen që ne kemi besoj se do gjejmë një dakortësi, sepse ajo që ka shqetësim Ministria, por dhe Këshilli, është që qytetarët shqiptarë të marrin shërbim.
Zëri i Amerikës: Zonja Llagami, sot një vëmendje e posaçme i kushtohet luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë aspekt, sa të rrezikuara janë dhe Gjykatat e posaçme nga mungesa e magjistratëve?
Naureda Llagami: Me thënë të vërtetën, për shkak të procesit të Vettingut dhe këto Gjykata janë prekur dhe kemi goxha humbje dhe në këto Gjykata. Ne jemi munduar që t’i balancojmë humbjet në sistem, duke hapur vendet vakante. Por shqetësimi që kemi është se kemi një hezitim të trupës gjyqësore për të aplikuar në këto Gjykata. Me këto kandidatura që I kemi propozuar Presidentit, ne na krijohen katër vakanca në Gjykata e posaçma, dy në Gjykatën e Shkallës së parë dhe dy në Gjykatën e Apelit, të cilat krijojnë një vështirësi të punës në këto gjykata. Megjithatë Këshilli është munduar të marrë masa. Është në process të përfundimit të ngritjes në detyrë për Gjykatën e Apelit të kandidatëve që kanë aplikuar për tre pozicione. Nuk do kemi prapë mundësinë që kjo Gjykatë të jetë me numrin e plotë sipas ligjit, por të paktën, nuk do kemi bllokim të punës.
Nga ana tjetër, shqetësim na mbetet Gjykata e Shkallës së parë. Për hir të së vërtetës nuk kemi shumë kandidatura. Për 6 vakanca na kanë ardhur tre kandidatura, që do të thotë që nuk plotësohet numri që ne do të donim të kishim.
Dhe për këto Gjykata ne jemi treguar të kujdesshëm, po presim ngritjet në detyrë, që të mbarojnë kandidaturat procesin e rivlerësimt kalimtar që ne të vijojmë me procesin e vlerësimit të përformancës profesionale.
Eshtë një sfidë shumë e madhe sot gjyqësori, sepse ndërthurret me procesin e Vettingut. Unë jam optimiste. Do kalojmë vite të vështira, por do t’i kemi rezultatet shumë shpejt, të prekshme./VOA