Gjykata konfirmon OFL, ja pronat që ju merren të ”fortëve”
Konfirmohen aksionet e Operacionit Forca e Ligjit. Një muaj nga nisja e zbatimit të paketës Anti-KÇK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar disa prej kërkesave të agjentëve të operacionit Forca e Ligjit. Pas plotësimit të formularëve dhe hetimeve të SPAK për 15 ditë, gjykata ka miratuar sekuestrimin e 9 mjeteve motorike, 9 sipërfaqe toke, 10 godinave të cilat shërbenin për banesa, resort dhe karburant. Pasuritë e sekuestruara i përkasin disa prej emrave më të njohur për policinë dhe drejtësinë. Në sitën e OFL, pasuritë e të cilëve u sekuestruan, janë Lulzim Berisha në durrës, Saimir Taullau në Lushnjë, vëllezërit Hajri në Shijakt dhe Doçaj në Shkodër.
Me miratimin e aktit normativ ”Anti-KÇK”, disa prej pronave të krimit të sekuestruara nga Operacioni Forca e Ligjit, do të kalojnë në përdorim të Policisë së Shtetit. Kështu tha Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë ceremonisë së dorëzimit të 7 mjeteve të dhuruara nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë.
“Jemi të përfshirë në një angazhim të madh për të thelluar luftën kundër krimit të organizuar. Të enjten ishin dëshmitarë të miratimit të dy ligjeve të rëndësishme. Të dy këto ligje synojnë të rrisin efektivitetin e policisë së shtetit kundër krimit të organizuar. Qeveria është e motivuar për të rritur mbështetjen e saj ndaj policisë. Paketa synon që një pjesë të rëndësishme të aseteve që do të konfiskohen nga beteja e nisur kundër krimit, të vihen në dispozicion të Policisë së Shtetit”,-tha Lleshaj.
Automjetet e blinduara janë në fokusin e OFL-së dhe disa prej të cilave janë sekuestruar tashmë nga policia. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj janë pezulluar dhëniet e autorizimeve për këto mjete. Nga ana tjetër, lind pyetja sesa automjete të blinduara qarkullojnë në Shqipëri? Mësohet se janë 470 mjete të blinduara, 118 prej të cilave zotërohen nga individët. Tirana mbetet e para në listë, ndjekur nga Durrësi, Fieri e Shkodra. Nga 118 autovetura që zotërojnë individët, shumë pak prej tyre po qarkullojnë këto kohë. Një urdhër tjetër i drejtorit të Departamentit për Sigurinë publike, Gjovalin Loka kërkon pezullimin e procedurave për mjetet e blinduara deri në rregullimin e udhëzimit të ministrit të Brendshëm dhe atij të Transportit të vitit 2006.
SEKUESTRIMET PËR OFL
– 9 mjete motorike
– 9 sipërfaqe toke
– 10 godina (banesa)
– 51 formularë dërguar