Gjykata Kushtetuese: Me anëtarët e rinj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor
Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me një deklaratë për mediat, pas betimit të anëtarit të gjashtë të saj, Përparim Kalo. Në një deklaratë për mediat, Gjykata Kushtetuese thotë se me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse.
“Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018. Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në deklaratë theksohet se ky institucion do të ushtrojë funksionin e saj në respekt të vlerave më të rëndësishme kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”,- deklaron Gjykata Kushtetuese.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
- Vitore Tusha, anëtare me kompetenca të Kryetarit
- Elsa Toska, anëtare
- Marsida Xhaferllari, anëtare
- Fiona Papajorgji, anëtare
- Altin Binaj, anëtar
- Përparim Kalo, anëtar