Pezullohen zgjedhjet në Tiranë. Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin e Presidentit Begaj

Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin e Presidentit për zgjedhjet në Tiranë, të dekretuara më 9 nëntor.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që dekreti i Presidentit shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Mësohet se vendimi u mor unanimisht nga e gjithë trupa e Gjykatës Kushtetuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Por analistët shprehen se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është bërë për të ruajtur sadopak fytyrën e Gjykatës Kushtetuese, sepse vendimi final do të jetë në favor të qeverisë e cila e ka shkarkuar.

Thjesht në Tiranë shtyhen zgjedhjet për në pranverë.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, VENDOSI
Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?