Gjykata Kushtetuese rrëzon nenin 262 për protestat: Tubimet zhvillohen me njoftim jo me leje nga policia
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar sot nenin 262 të Kodit Penaln për protestat në Republikën e Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar sot zyrtarisht Kuvendit që në një periudhë 6 mujore të bëjë korrigjimin e nenit. Vendimi vjen pas kërkesës së Gjykatës së Apelit Shkodër. Por çfarë parashtron ndryshimi?
Sipas gjykatës Kushtetuese, neni 262 nuk është i saktë dhe se me këtë ndryshim, organizatorët e protestave nuk duhet të marrin leje në Polici për të zhvilluar tubimet, por vetëm të bëjnë një njoftim mbi orën, vendin dhe mënyrën sesi do të zhvillohet tubimi.
Neni 262 që është sot në fuqi njeh si tubim të paligjshëm të gjitha organizimet që bëhen pa miratimin e Policisë së Shtetit, dhe këto tubime klasifikoheshin si kundravajtje penale duke u dënuar me gjobë ose me burg deri në 2 vite. Me këtë ndryshim edhe këto dy sanksione rrëzohen automatikisht dhe tashmë i takon Kuvendit të Shqipërisë të reflektojë ndryshimet brenda 6 muajve.
Ky vendim që hyn sot në fuqi, rrëzon poshtë të gjitha ndalimet që janë bërë në protestat e Astirit, Teatrit dhe kauzave të tjera, që janë cilësuar nga autoritetet si të paligjshme duke dërguar prapa hekurave dhjetra protestues.
Por çfarë ndodhi që nga janari i 2020?
Që prej janarit 2020, Gjykata e Apelit Shkodër i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të shpallte si të paligjshëm ndryshimet e Kodit Penal, të miratuara në vitin 2017 që i klasifikojnë protestat pa leje si vepër penale. “Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”-thuhet në nenin 262 të Kodit Penal.
Por sot gjykata vendosi që:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KOHA JONË SONDAZH

