Rikthehet në detyrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako
Gjykata e Apelit ka rrëzuar sot vendimin për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Kësisoj, kjo gjykatë ka pranuar kërkesën për rikthim në këtë detyrë të kryepolicit, i cili u pezullua në kuadrin e skandalit të përgjimeve. Lajmi u konfirmua nga avokati i tij, Maks Haxhia, i cili tha në përfundim të seancës gjyqësore se nga ky moment, Çako do të vijojë punën në krye të Policisë së Shtetit.
“Ishte një proces ku u paraqitën provat. Gjykata e Apelit vlerësoi se nuk ka vepër penale të konsumuar nga klienti im”, sqaroi Haxhia.
Kujtojmë se kryepolici Haki Çako u pezullua nga detyra, ndërsa dy oficerë të policisë u lanë në arrest shtëpie nën akuzën e prokurorisë për pajisjen përgjuese dhe me vendim të gjyqtarit Arjan Aliaj.