Gjylameti fajëson opozitën për mospërparimin mbi votën e diasporës

Në Shqipëri parlamenti ka nisur së fundmi punën për reformimin e kodit zgjedhor, dhe komisioni përkatës, pas vonesave të shumta, ka filluar tashmë punën, e cila është ndërprerë herë pas here për shkak të përpasjeve mes shumicës socialiste dhe deutetëve të opozitës lidhur me përbërjen e komisionit. Ndërkohë, një prej afateve është shkelur tashmë. Në vitin 2022, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të votës së diasporës dhe ngarkoi Kuvendin që të miratonte ligjet përkatëse deri në janar. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha në fund të vitit të kaluar se nëse kuadri ligjor nuk bëhej gati brenda janarit të këtij viti, votimi i diasporës do të ishte i pamundur për zgjedhjet e 2025. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, deputetja e Partisë Socialiste dhe anëtarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Blerina Gjylameti, tha se përcaktimi i metodologjisë mbi mënyrën e votimit të diasporës, nuk mund të jetë një produkt i njëanshëm, po i gjithëpranuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Gjylameti, komisioni i reformës zgjedhore është bllokuar shpesh herë nga opozita e cila kërkon ndryshimin e anëtarëve të saj. A pritet ta merrni në konsideratë kërkesën e tyre dhe komisioni të vazhdojë punën normalisht?

Blerina Gjylameti: Ka një element i cili duhet të theksohet dhe të sqarohet. Çështjet e një lloj problematike të brendshme të Partisë Demokratike nuk mund të jenë çështje të parlamentit shqiptar. Përfaqësimi i tyre vazhdon të jetë. Është zoti Aliebaj që ka qenë i propozuar nga ata, por ndërkohë në anën tjetër, bashkëkryesimi, nuk do të thotë mungesë të përfaqësimit të të gjithë palëve politike në Komision të Reformës Zgjedhore. Po të shikojmë, përbërja e atij komisioni është nga të gjithë partitë politike dhe ndërkohë në anën tjetër, kush është drejtuesi, zgjidhet nga vetë ata.

Zëri i Amerikës: Duket sikur opozita e ka tejkaluar këtë çështjen e bashkëkryesimit, kërkon anëtarë, të ndryshojnë anëtarët…

Blerina Gjylameti: Jo, kërkon ndryshim dhe të bashkëkryesimit. Por besoj që thelbi nuk qëndron aty. Zvarritja, pothuajse 1 viti e gjysmë tashmë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që do duhej të ishim ulur, të kishim adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, për të patur zgjedhje më të mira, zgjedhje më të mirëorganizuara dhe po ashtu, të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara, është dhunuar pikërisht nga ky lloj ngërçi i brendshëm i tyre. Ndërkohë, në anën tjetër, unë besoj që ishte pozitiv momenti i parë, kur bëmë thirrje, pas shumë kohësh, për të patur mbledhjen e parë të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ishte i pasuksesshëm, patëm një tentativë të dytë për të patur një mbledhje fizike, përsëri ishte e pasuksesshme dhe pastaj kaluam me pjesën on-line. Unë besoj, do duhet nga ana e tyre të tregojnë maturi politike, për të arritur që të zgjidhin midis tyre, problematikat apo ngërçet që kanë, apo edhe konfliktet e brendshme…

Zëri i Amerikës: Pra nuk do të ketë riformatim?

Blerina Gjylameti: Nuk është nga ana jonë riformatimi. Duhet të propozojnë ata ndryshimet e tyre, duke rënë dakord, sikundër ligji dhe rregullorja e Kuvendit e përcakton. Në rregulloren e Kuvendit dhe po ashtu në ligjin përkatës thuhet që subjektet politike propozojnë përfaqësuesit e tyre, gjë që nuk është një çështje në Partinë Socialiste. Partia Socialiste e ka bashkëkryetarin e saj dhe çështja për bashkëkryetarin ka të bëjë për të patur një reformë të gjithëpranuar, pra jo të njëanshme, pra përdorimin e vetos për të patur një reformë të gjithëpranuar, ka qenë dhe do të mbetet, një lloj mënyre për të arritur që gjitha palët të uleshin në tavolinë, e kemi treguar që si Parti Socialiste kemi shtruar gjithmonë dorën e bashkëpunimit dhe për të ndërtuar ura komunikimi edhe në momentin kur në vitin 2018 patëm djegie të mandateve, gjetëm një lloj mekanizmi për të bërë edhe ata që ishin jashtë parlamentit për t’i patur në tryezë të reformës zgjedhore, sepse ka qenë traditë dhe duhet të jetë traditë që produkti i Komisionit të Reformës Zgjedhore të jetë një produkt i gjithëpranuar nga të gjithë palët. Unë besoj që do të vijojmë me këtë që kemi nisur duke shpresuar që ata të kenë zgjidhur konfliktin e tyre dhe të kemi mundësinë që në komision të reformës të diskutojmë mbi propozimet e të gjitha palëve.

Zëri i Amerikës: Vota e diasporës është kërkuar prej kohësh, por duket se nga mënyra se si po vazhdojnë punimet dhe nga komentet e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ajo rrezikohet edhe në vitin 2025. Cili është mendimi juaj, a do jetë në gjendje diaspora që të votojë në 2025?

Blerina Gjylameti: Që në ndryshimet e 2021 është sanksionuar në Kodin Zgjedhor, vota e diasporës. Në anën tjetër, ajo çfarë kryetari i KQZ-së ka thënë dhe vijon të thotë dhe që është edhe në shqetësimet tona, ndaj dhe kemi tentuar që të ulemi në tryezë për të adresuar këtë problematikë, është metodoligjia apo mënyra se si do duhet të votojë diaspora. Në këtë aspekt, unë shpresoj, e thashë, që të ulemi në tryezë, të ngrihemi në nivelin e detyrës që ka gjithësecili prej nesh. Në fund ne jemi të zgjedhur mazhorancë, opozitë, apo kushdo qofshin për të kontribuar në atë komision, për të arritur që të adresojmë problematikat që lidhen me zgjedhjet. Shpresoj që ta kemi së shpejti, është shumë e rëndësishme që fund të zgjidhim edhe atë ngërç që ka të bëjë me mënyrën apo me metodologjinë e votimit të diasporës, për ta bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të jetë, por kjo është diçka që do duhet të jetë me një nxitim sepse koha nuk premton.

Zëri i Amerikës: Së shpejti kur? Sepse ndërkohë është shkelur një afat i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje, pse nuk keni avancuar si mazhorancë?

Blerina Gjylameti: Sepse sikundër e thashë do duhet të jetë një produkt i gjithëpranuar, duhet të gjithë palët, nuk mund të ketë një reformë e cila të jetë e njëanshme. Një reformë e njëanshme do të thotë një reformë e papranuar, një reformë e papranuar do të thotë të kontribuojmë prapë tek pjesa e humbjes së besimit që duhet të kenë qytetarët në atë lloj produkti që të gjitha palët politike dhe që duhet të tregojnë edhe dëshirën edhe vullnetin politik në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore. Unë e besoj që së shpejti do duhet të kemi një produkt, se në fund ata presin, flas të gjithë qytetarët shqiptarë që kontrubuojnë në gjithë vendet e botës, për të patur mundësinë e tyre që ata të kontribuojnë edhe nëpërmjet votimit, për ata që do të jenë përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar.

Zëri i Amerikës: Partia Socialiste është akuzuar nga opozita se po vepron me arrogancë duke mos i pranuar asnjë kërkesë të saj, e kam fjalën këtu për 8 komisione hetimore. Arsyet e dhëna nga shumica kanë qenë nga më të ndryshmet dhe megjithatë është shumë e vështirë që të mendosh që asnjëra prej këtyre komisioneve nuk e ka patur objektin në përputhje me ligjin…

Blerina Gjylameti: Ka një element.Opozita ka pakëz memorien e shkurtër. Ndryshimet e qasjes së Partisë Socialiste përkunddrejt Partisë Demokratike kur secila palë ka qenë në pushtet janë komplet të ndryshme. Ata nuk kanë pranuar kurrë asnjëherë komisone hetimore të Partisë Socialiste, ne i kemi pranuar gjithmonë. I vetmi ngërç ka qenë në lidhje me objektet. Funksioni i çdo komisioni hetimor është që të shikojmë kush janë ato mangësitë legjislative dhe se si ato duhen adresuar nëpërmjet ndryshimit të kuadrit ligjor, ligjeve përkatëse për të përmirësuar. Të vish në Parlament dhe të kërkosh komisione hetimore pa një objekt të mirëpërcaktuar do të thotë të biesh ndesh me Kushtetutën dhe me rregulloren e Kuvendit. Ajo që kemi kërkuar është që riformuloni objektet e komisioneve hetimore, mbas riformulimit të objekteve, që të hynë në suazën ligjore dhe kërkesat që ka ligji…

Zëri i Amerikës: Dhe asnjë nga këto objekte nuk ka qenë në suazë ligjore?

Blerina Gjylameti: Asnjë nuk kanë pranuar të riformatojnë në objektet e tyre. Ne presim ende, jemi ulur, vazhdojmë të kërkojmë që të jemi në tryezë të diskutojmë për të arritur që të kemi bashkëpunim dhe ndërkohë në anën tjetër, krizën e tyre të brendshme ta zgjidhin midis njëri tjetrit dhe kur të ulemi në tryezën e diskutimeve të shikojmë për ato çfarë ligji, kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kërkon. Se në fund nuk mund të kërkosh një komision hetimor pa një objekt, sepse nuk mund të arrish të kesh një produkt, që i shërben qëllimit për të cilin ngrihen komisionie hetimore. Gjylameti pjesa e dytë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë një nga arsyetimet që ka dhënë mazhoranca ka qenë pse në listën e deputeve që kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor, ka qenë emri i Sali Berishës, apo dhe arsyetime të tjera që nuk kishin lidhje me objektin e hetimit.

Blerina Gjylameti: Kërkesat për komisione hetimore bëhen në konferencën e kryetarëve dhe aty secila prej palëve ka përfaqësimin. Kryetari e Grupit Parlamentar Socialist zoti Cuci ka mbajtur qëndrimin e tij në emër të Partisë Socialiste, duke diskutuar të gjithë elementët që ligji kërkon për këto komisione hetimore dhe argumentet kanë qenë se duhet të jenë të mirëpërcaktuara në objekt, për të arritur që ne të miratojmë këto komisione hetimore. Unë vijoj t’i mbetem të njëjtit qëndrim, duhet të kenë objekte të cilat, bien në pjesën e kuadrit ligjor, që të mos kemi gjëra që nuk respektojnë ato rregulla që ne kemi në fuqi.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit SPAK-u ka ngritur një sërë akuzash ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë të Partisë Socialistë për korrupsion dhe abuzime me detyrën. Mazhoranca i ka trajtuar këto si përgjegjësi personale. A mendoni se diçka nuk ka funksionuar dhe PS ka dështuar në luftën kundër kulturës së korrupsionit?

Blerina Gjylameti: Pjesa e luftës kundër korrupsionit apo kulturës së korrupsonit është një luftë e vazhdueshme dhe ne kemi vite që kemi qenë të angazhuar. Mjaftojmë të shohim progres-raportin e vitit 2023 pjesën pozitive apo vlerësimin pozitiv, që u bëhet institucioneve shqiptare për këtë luftë, për të kuptuar që jemi në rrugën e duhur. Ndërkohë në anën tjeter reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet, kryefjala e reformave që kjo qeveri, qeveria socialiste, ka ndërmarrë që nga viti 2013 dhe kultura e pandëshkueshmërisë është një kulturë që po instalohet për të kundërtën, pra në kuptimin që nuk kemi më njerëz që në varësi të pushtetit që kanë patur, apo afrimitetit me partitë politike, të jenë të pandëshkueshëm, jo. Kemi bërë pikërisht një gjë tjetër, që të krijojmë të gjitha premisat, për të patur një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur. Edhe në progres-raport e kemi këtë lloj vlerësimi. Vijojmë të mbetemi të angazhuar me institucionet e drejtësisë, që të bëjnë punën e tyre, qoftë në pjesën e asaj çfarë bën BKH-ja apo Byroja Kombëtare e Hetimit, apo çfarë bën SPAK-u. Por në anën tjetër dhe çfarë bëjnë të gjitha insitucionet e shtetit shqiptar për të luftuar kundër korrupsionit. Dhe në këtë aspekt drejtoria anti-korrupsion sot ka një tjetër qasje për të patur një angazhim më të madh për këtë kulturë, kundër korrupsionit dhe është ngritur në nivelin e një ministrie, për atë arritur që pikërisht të punohet dhe të angazhohet edhe më shumë, në pjesën e ndryshimit të qasjes. Nga ana tjetër lufta kundër korrupsionit, nuk është një beteje, kërkon një kohë të gjatë dhe ne jemi të angazhur ta vazhdojmë. Mjafton që vlerësimet të jenë pozitive dhe ne te jemi në rrugën e duhur. Por nga ana tjetër institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarur, nuk duhet të ketë ndërhyrje nga politika, sepse nëse ka patur një nga elementët që ndër vite ka dëmtuar edhe ekonominë shqiptare edhe qytetarët, për humbur besimin tek insitucionet, ka qenë drejtësia e kapur./VOA/

SHKARKO APP