Gjyqtari Daci merret i pandehur nga SPAK, zbardhen detajet
Mësohet se gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci është marrë i pandehur nga SPAK. Prokuroria e Posaçme e ka thirrur Dacin që të paraqitet këtë të premte, kjo për t’i komunikuar akuzën për falsifikim dokumentesh.
Gjyqtari i KPA akuzohet se ka fshehur vendimin e shkarkimit nga detyra për paaftësi që ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dha në vitin 1997.
Mësohet se Daci do të jetë i pranishëm në seancën e 24 korrikut bashkë me avokatët e tij ku do të njihet me akuzën dhe provat që disponon Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Çështja do të kalojë në seancë paraprake ku do të vendoset nëse do të pushohet, do kalojë për gjykim, apo gjykata mund ta ktheje për plotësim hetimesh në prokurori.