Gjyqtari Doda shpërthen në sallën e gjyqit: Ja kë akuzoj!

Ndërsa akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, ish-gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda, u hodh në sulm ndaj organit të akuzës, duke e quajtur procesin gjyqësor si goditje te organizuar nga zyrat e shtetit.

Me këto pretendime u mbrojt këtë të premte në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjyqtari Doda, teksa akuzoi edhe kreun e gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, se është ai ideatori dhe skenaristi i këtij procesi gjyqësor, raporton Vizion Plus.

Më tej, i akuzuar Doda tha në sallën e gjyqit se përgjegjës për këtë situatë është Çela, ku ai ka humbur një proces gjyqësor për disa prona dhe, pjesë e trupit gjykues ishte gruaja e Rasim Dodës.

Dhënia e këtij vendimi sipas ish-gjytarit, ndikoi drejtpërdrejt që, Çela të niste një sulm personal familjes se tij.

Duke parë se procesi nuk po ndiqte një rrjedhë kronologjike të ngjarjes, prokurori Gentian Osmani i tërhoqi vëmendjen trupit gjykues se, i akuzuari po i shmanget procesit duke përfshirë persona që nuk janë pjesë e hetimit.

Prokurori e akuzon ish-gjyqtarin e Sarandës, se në këmbim të vendimit në favor të shtetasit Hasan Bushi ai i ka kërkuar 80 milionë lekë.

Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka bërë të ditur vendimin gjyqësor, i cili do të ishte në favor të Bushit, ku bëhej fjalë për një çështje pronësie.

Seanca u shty për nje date tjetër dhe pjesë e hetimit do të jenë përgjimet që i janë bërë gjyqtarit Doda gjatë periudhës 21 prill të 2015.

SHKARKO APP