Gjyqtari mbron interesin e shoqatës së transportit, reagon Veliaj: S’ka hipur ndonjëherë në autobus. Do e denoncoj te vettingu

Këshilli Bashkiak i Tiranës mori sot vendim për të rishikuar stacionet e linjës Nr. 16 “Linja e Gjelbërt” në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e cilësoi të papranueshëm vendimin e gjykatës e cila dha vendim në favor të privatit dhe në dëm të qytetarëve, me pretendimin se linjat dublikohen, sikurse pretendonte edhe shoqata e autobusëve.

“Kjo bashki kaloi një vendim fillestar për atë që quhet linja e gjelbër. Në atë moment Shoqata e Transportit publik shkoi edhe e çoi në gjykatë. Gjykata për keqardhje shumë të madhe nuk përqafoi idenë e bashkisë, por përqafoi idenë e shoqatës së transportit publik dhe ka kërkuar që ne të marrim një vendim të ri ku të ndërrojmë disa nga linjat duke qenë se kishte përplasje. Unë s’di si t’ia them gjyqtarit që në kohën e pikut , një nga stacionet e Tiranës së Re ose të rrugës së Elbasanit, ka nevojë jo për një, por edhe për 3-4-5 autobusë njëherë. Por qartazi që gjyqtari s’ka hipur ndonjëherë në autobus dhe qartazi që s’ka kaluar akoma vettingun. Këto çështje do merrem dhe do i adresojmë më vonë. Por sot për ta zhbllokuar këtë situatë kemi reflektuar vendimin e gjykatës për të mënjanuar disa stacione të cilat shoqata mendonte se I dublikonin. Unë mendova se me skandalin e biletave false, shoqata kishte të tjera çështje për të adresuar. Tani që nuk adresoi asnjë nga këto tema, por merret me bashkinë”, tha Veliaj ndërsa u shpreh se do denoncojë gjyqtarët tek komisionet e vettingut.

“ Më le një shije shumë të hidhur dhe ju garantoj se pas këtij vendimi do merrem pastaj me gjyqtarët, që do ti adresojnë prapë vendimet e bashkisë. Nëse gjyqtarët e duan këtë qytet më shumë, bujrum të vijnë të garojnë të zgjidhen kryetarë bashkie dhe ti bëjnë këto punë. Por ligji ia ka dhënë tagrin këshillit bashkiak dhe kryetarit të bashkisë si për taksat si për transporti publik si dhe në mbledhjen e mbeturinave. Pas këtij vendimi sot, unë do merrem personalisht duke i çuar denoncimet e mia dhe në emër të Bashkisë së Tiranës te komisioni I vettingut për këdo gjyqtar që vazhdon të fusë hundët në favor të privatit dhe në humbje të interesit të publikut”, tha Veliaj.

SHKARKO APP