Gjyqtari shkel afatet, ”harrohen” vendimet për “Velierën”
Më datë 13 shkurt 2018, Gjykata Administrative e Durrësit vendosi që të pezullojë punimet në zonën A të projektit “Veliera”, ndërsa deri më sot, megjithëse kanë kaluar 55 ditë, vendimi ende nuk është zbardhur.
Proceset gjyqësore vijojnë njëri pas tjetrit, ndërsa barra bie e gjitha mbi qytetarët, që kalojnë mes pluhurit, rrënojave antike, apo pjesëve të betonit. Proverbi “drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar” duket se po gjen zbatim për këtë çështje, pasi, gjykata ka shkelur me të dyja këmbët afatet ligjore.
Zëdhënësja e Gjykatës Administrative Sara Kosova tha për “Fiks Fare” se “deri më datë 5 prill 2018, vendimi ende nuk është dorëzuar në sekretari i zbardhur nga gjyqtari i çështjes”. Ajo shtoi se afati ligjor për zbardhjen e një vendimi është vetëm 7 ditë. Pra, gjyqtari Ergys Gashi ka shkelur afatet mbi 45 ditë. Fiksi shkon të pyesë edhe gjyqtarin Gashi, i cili u kërkon gazetarëve që duhet të presin pak.
Takon punonjësin e policisë dhe më pas kyçet brenda në zyrën e tij. Gazetarët e pritën për disa orë, ndërsa stafi i gjykatës, por edhe qytetarë, e gjetën kyçur derën e tij. Pas më shumë se dy orësh e gjysmë, gjyqtari del nga zyra dhe gazetarët e pyesin përse nuk është zbardhur vendimi. Sërish, u thotë se “duhet të presin”. Gazetarët e presin, dhe pas tre orësh e gjysmë, gjyqtari Ergys Gashi u premtoi se po merret me zbardhjen e vendimit.
KOHA JONË SONDAZH

