Gledis Nano: Çalamani u kontrollua nga policia 5 ditë para se të vriste 8-vjeçarin

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano tha se pesë ditë përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë e vrasjes dhe groposjes së fëmijës 8-vjeçar, Mateo Vasiu, në fshatin Grecalli të Fierit, Klodian Çalamani, autor i ngjarjes ishte verifikuar nga policia.

Më tej Nano deklaroi se në 7 muajt e fundit, Çalamani është kontrolluar dhe verifikuar disa herë nga strukturat e Policisë së Fierit.

Teksa përmendi kontrollet ndaj Çalamanit me datë dhe orë të saktë, Nano tha se informacionet në rrugë operative kanë qenë në kuadër të vjedhjeve dhe nuk ka patur të dhëna për veprime të dhunshme apo krime të rënda.

“Në datën 19.4.2021, ora 14:01, është verifikuar shtetasi Klodian Çalamani në fshatin Grecalli nga specialisti i policisë së zonës. Nuk ka pasur probleme.

Në datën 19.5.2021 ora 13:05, është verifikuar i njëjti shtetas nga specialisti i policisë së zonës dhe është kontrolluar. Nuk ka pasur probleme.

Në datën 9.7.2021, ora 16:13, është verifikuar dhe kontrolluar dhe nuk është konstatuar asgjë e kundraligjshme.

Në datë 9.7. 2021 përsëri është kontrolluar dhe verifikuar nga specialisti i policisë së zonës. Të gjitha këto janë veprime që janë dokumentuar në sistemet e Policisë së Shtetit.

Në datën 13.8.2021, ora 15:35, është kontrolluar shtetasi Klodian Çalamani nga specialisti i policisë së zonës dhe nuk ka pasur probleme.

Në datën 22.9.2021 është kontrolluar në orën 01:12 nga punonjësi i patrullës së policisë dhe nuk ka pasur probleme.

Informacioni i fundit i marrë në rrugë operative lidhur me aktivitetin kriminal të këtij shtetasi ka qenë në datën 11, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në datën 16 dhe përsëri ky informacion ka qenë në fushën e vjedhjes apo në fushën e krimeve kundër pronës. Nuk ka pasur informacion lidhur me aktivitetin e këtij personi në drejtim të krimeve të rënda apo të dhunshme”, deklaroi Gledis Nano.

SHKARKO APP