Godet të dashurën me thikë, arrestohet durrsaku
Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit pas një hetimi intensiv kanë zbardhur një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në pranga është vënë 33-vjeçari Antonio Zani banues në këtë qytet. Ai u ndalua për shkak se rreth orës 06:00 të mëngjesit në lagjen Nr.8 ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën e tij, shtetasen A.D. 20 vjeçe, banuese në këtë qytet.
Zani ka shkuar në banesën e shtetases N.M., ku e dashura e tij ishte e punësuar si kujdestare nate për të zonjën e shtëpisë, e cila ishte invalide dhe si rezultat i një konflikti të çastit e ka goditur disa herë me thikë në trup.
Për pasojë i ka shkaktuar plagë të rënda dhe shtetësia A.D. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve. Edhe autori i dyshuar ka marrë plagë në trup dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje shkuan efektivat e policisë që identifikuan dhe kapën autorin. Në vendin e ngjarjes u gjet një thikë, një qese me një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva dhe tre aparate telefoni celularë.
Dyshohet se autori ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së veprës. Zani është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lëndëve narkotike.
KOHA JONË SONDAZH

