Godina e re e urgjencës së Laçit, Manastirliu: Kushte optimale për qytetarët
Pas tërmetit të 26 nëntorit i cili ka dëmtuar godinën e spitalit të Laçit që është shpallur e pabanueshme, urgjenca e këtij spitali ka kaluar në një godinë të re. Në këtë godinë të re në Laç ekipi i mjekëve dhe infermierëve kanë qenë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se në këtë godinë të re nuk ka munguar në asnjë moment shërbimi për banorët e prekur nga tërmeti. Ajo thekson se në këtë godinë janë krijuar kushtet e përshtatshme ku ekipet mjekësore po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe qytetarët po marrin shërbimin e duhur.
”Edhe aty ku vështirësitë kanë qenë të mëdha për shkak të dëmtimit të godinave shëndetësore si pasojë e tërmetit, shërbimi nuk ka munguar për asnjë moment. Ne kemi siguruar kushte të përshtatshme në rrethanat e krijuara, por stafet tona mjekësore po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në terren, që qytetarët të marrin shërbimin e duhur, në kohë dhe me cilësi. Në urgjencën e re të përkohshme të spitalit të Laçit shërbimi është kthyer në normalitet”.
Marjana Deda infermiere në spitalin e Laçit shprehet se, “jemi përshtatur në këtë godinë dhe çdo gjë funksionon në rregull me mjekime, laboratorë dhe grafi”. Shefi i urgjencës së spitalit të Laçit, mjeku Agron Lala, thekson se, “shërbimi mjekësor urgjencës pati një ndryshim edhe në organizim dhe në vendndodhje. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka patur asnjë minutë mungesë shërbimi. Në fillim dolëm në çadër për disa orë dhe pastaj erdhëm në këtë ambient i cili është shumë më i mirë dhe më i aksesueshëm nga njerëzit dhe për personelin shëndetësor.
“Nga situate emergjente që na u krijuar tek urgjenca e ish spitalit u përshtatëm në këtë ambient i cili ka kushte shumë të mira”, tha Hajrie Hyseni kryeinfermiere e urgjencës së spitalit të Laçit. Aleksandra Ndoka infermiere në spitalin e Laçit gjithashtu tha se në këtë ambient jemi sistemuar shumë mirë dhe ka organizim personeli, mjekësh dhe kemi të gjitha ilaçet në dispozicion.
Në Mamurrasi dhe në Ishëm, janë qendrat e lëvizshme shëndetësore, të cilat me një shërbim prej 24 orësh, janë pranë banorëve. Manastirliu ka parë nga afër qendrën e lëvizshme shëndetësore, e cila po ofron shërbim shëndetësor 24/7 për banorët e zonës. “Qendra shëndetësore Ishëm sipas ekspertëve rezultoi e dëmtuar rëndë dhe nuk ofron dot shërbim shëndetësor. Kjo qendër do të rindërtohet edhe më e mirë seç ka qenë por ndërkohë duhet ta organizojmë punën në këtë strukturë të lëvizshme, e cila ofron të gjitha kushtet për personelin shëndetësor”.
Nga ana tjetër, ministrja ka bërë të ditur se në planin e rindërtimit janë 12 objekte shëndetësore, ku edhe nga nisur puna. “Janë 12 objekte shëndetësore, ku përfshihen kryesisht qendra shëndetësore, të cilat janë vlerësuar me dëmtime serioze apo dëmtime të lehta si pasojë e tërmetit. Për dëmtimet e rikuperueshme ne kemi marrë masat që të fillojë menjëherë puna për rehabilitimin, sikundër kemi bërë me spitalin e Durrësit, me disa shërbime në QSUT, etj, ndërsa do të përfshijmë në planin e rindërtimit objektet me dëmtime të rënda”.