Goditet nga disa persona avokati i Berishës. Autorët i bënë “pritë” pranë kopshtit të djalit

Mëngjesin e ditës së sotme është dhunuar avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi.

Burimet mediatike bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut, aty ku avokati i njohur ka shtëpinë.

Tre autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar i kanë zënë pritë Sokol Mëngjesit pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të birin dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.

Sipas informacioneve të para bëhet me dije se Sokol Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime në trup por për momentin është në urgjencë në gjendje të stabilizuar.

Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital.

Kujtojmë që Sokol Mëngjesi është avokati i pronarit të inceneratorëve Mirel Mërtirit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha i cili ndodhet në “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”.

Deputetët reagojnë për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi:

Deputeti Asllan Dogjani ka bërë thirrje për zbardhjen e të vërtetës, ndërsa tha se për sa kohë që sulme të tilla ndodhin në mes të ditës në një zonë të populluar si ajo e ish-Bllokut, ndaj një avokati e pedagogu, tregon se bandat e krimi nuk kanë frikë nga ligji.

Dogjani: Bandat e krimi nuk kanë frikë nga ligji

Qytetarët janë të pasigurt kur krimi godet në mes të Bllokut ndaj një avokati, mendoni se çfarë mund të ndodhë ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Dënoj sulmin dhe autorët të vihen para përgjegjësisë penale, ndryshe kështu siç po veprohet, që qytetarët po detyrohet të bëjnë vetëgjyqësi sepse rendi nuk zbatohet, shqiptarët po detyrohen të largohen nga vendi.

Bushka: Thirrje organeve të nxjerrin para përgjegjësisë fajtorët, pa dalë ne në konkluzione. Jam e bindur që organet e drejtësisë po punojnë për të zbardhur të vërtetën. Uroj që zoti Mëngjesi të rikuperohet.

 

SHKARKO APP