Gonxhja: Rivitalizimi i kullave, monumente kulture por dhe hapësira të gjalla për zhvillim ekonomik
Në katër qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se institucioni që ai drejton po ndërmerr një qasje e re për rivitalizimin e kullave tradicionale, duke i trajtuar ato jo vetëm si monumente kulture, por si hapësira funksionale dhe të gjalla, të integruara në zhvillimin turistik, kulturor dhe ekonomik të zonave ku ndodhen.
Programi shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë dhe synon kthimin e kullave në bujtina, qendra kulturore, muze lokalë dhe pika edukimi, si pjesë e itinerareve turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Sipas Gonxhes, kjo ndërhyrje synon të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë, forcimin e identitetit lokal dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm në komunitetet përkatëse.
Gonxhja informoi se në këtë kuadër, është përgatitur një pyetësor informues, i cili shërben për mbledhjen e të dhënave mbi gjendjen aktuale, historinë dhe potencialin e kullave tradicionale në këto zona, si bazë për planifikimin e mëtejshëm të ndërhyrjeve. “Të dhënat e mbledhura do të përdoren për analiza dhe vendimmarrje në kuadër të zbatimit të programit”, tha ai.
“Rijetëzimi i Kullave” bëhet pjesë e një strategjie më të gjerë që synon krijimin e itinerareve kulturore dhe turizmit malor, që do të lidhin zonat e veriut përmes historisë, artit dhe natyrës së paprekur, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm përvoje turistike që zgjat gjatë gjithë vitit.
Faza e parë e programit ka nisur vitin e kaluar dhe do të zgjasë edhe gjatë 2026-ës. Kjo fazë fokusohet në identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kjo fazë përfshin hartimin e projekteve tip për secilin qark dhe zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë. Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetëzimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.
KOHA JONË SONDAZH

