Grabitet argjendaria në Librazhd, pronari kunat me deputetin e PS
Persona ende të paidentifikuar nga ana e policisë kanë vjedhur gjatë natës një nga bizneset më të njohura në qytetin e Librazhdit. Burime bënë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të kësaj të mërkure dhe është konstatuar pas rënies së sinjalit të alarmit për pak sekonda.
Vjedhja e dyqanit të argjendarisë në pronësi të Skënder Xhanit, i cili është kunati i ish kryeministrit dhe deputetit socialist Bashkim Fino. Sipas të njëjtave burime, vjedhja është kryer në kohë rekord.
Vjedhësit dyshohet kanë vepruar sipas një plani të parapërgatitur duke i kryer veprimet me shpejtësi dhe kanë arritur të merrnin gjithçka kishin si objektiv. Për të realizuar vjedhjen ata më herët janë futur në shtëpinë e biznesmenit.
Që andej kanë marrë çelësat e argjendarisë dhe më pas janë futur te biznesi ku ka marrë çfarë kanë mundur. Paraprakisht nuk ka të dhëna për vlerën e mallit të grabitur në këtë argjendari nga më të mëdhatë e këtij qyteti.
Ky biznes edhe pse ndodhet në qendër të qytetit të Librazhdit dhe fare pranë godinës së komisariatit të policisë dhe i monitoruar me kamera sigurie e sistem alarmi gjithmonë ka qenë objekt i piketuar nga vjedhësit. Gjatë vitit 2019, aty u kryen dy vjedhje me një vlerë prej dhjetëra milionë lekësh.
Ndërkaq, policia lokale për rastin e fundit ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e të gjitha provave, si dhe të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vjedhje. Gjatë ditëve të fundit në Qarkun e Elbasanit edhe në bashkinë e Belshit u raportua vjedhja gjatë natës e dy bizneseve por ende autorët nuk janë zbuluar.
Librazhd / Informacion paraprak
Gjatë natës, në qytetin e Librazhdit , është vjedhur pa thyerje një argjendari, në pronësi të shtetasit S.Xh., 64 vjeç, banues ne Librazhd. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.