Grabitet në qetësi banka në ish-Bllok. Çahen muret dhe vidhet kasaforta
Grabitja
Policia: Ja si u vodhën 200 milionë lekë të vjetra. Dyshim për bashkautorë, pasi sistemi i alarmit në bankë ishte çaktivizuar
20 milionë lekë të reja mendohen të jenë grabitur në bankën e nivelit të dytë, në zonën e ish-Bllokut (Banka Kombëtare Tregtare). Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së hënës, ku autorët të paidentifikuar kanë arritur të futen në dhomën e kasafortës, ku duke çarë murin e bankës, përmes një lokali aty ngjitur, kanë realizuar vjedhjen. Tirana sërish pre e grabitjeve, ku pas një muaji nga super vjedhja në aeroportin Rinas, grabitja e së hënës, është ngjarja e dytë më e rëndë.
Gjithçka është realizuar pa zhurmë, pa pengmarrje e pa armë. Një ngjarje kaq profesionale, e ngjashme me skenarët e filmave hollivudjanë. Policia ka bërë me dije se autorët kanë shfrytëzuar pushimet e fundjavës, për të çarë murin e bankës, pikërisht në dhomën nën tokë, ku ishte vendosur kasaforta. Forcat e policisë pasi kanë mbërritur në vendngjarje, kanë konstatuar se punimet për çarjen e murit të bankës ishin kryer brenda një ambienti tjetër privat, nën tokë, që ishte pranë bankës dhe që dikur ka shërbyer si PUB dhe kazino. Autorët sipas burimeve, kanë punuar për tre net me radhë për hapjen e murit, hapje e cila kishte përmasat 50 me 30 cm, më se e mjaftueshme për futjen e një njeriu.
Policia ka zbardhur dhe mënyrën se si është realizuar vjedhja, ku bëhet me dije se pas hapjes së murit, autorët, duke përdorur edhe lëndë të ndryshme kimike, kanë hapur edhe kasafortën. Për fat të keq, kamerat e sigurisë jashtë ambienteve të bankës nuk kanë treguar asnjë person të dyshuar që të jetë filmuar duke hyrë apo dalë nga ambientet e ish-kazinosë. Përveç pronarëve të ambientit nga ku u hap muri i bankës, në komisariat janë shoqëruar për t’u pyetur edhe punonjësit e Sigurisë së bankës, pasi dyshohet se alarmi ka rënë mbrëmjen e së premtes, por që mesa duket nuk është pikasur nga punonjësit e sigurisë. Monedha e vjedhur nuk ka qenë e njëjtë.
Konkretisht janë marrë 10 milionë lekë, 50 mijë euro si dhe 30 mijë dollarë. Mësohet se ata kanë qenë 3 autorët e grabitjes, të cilët të pajisur me mjetet e duhura si dalta, çekiç si dhe saldatriçe me oksigjen, kanë arritur të hapin kasafortën e bankës. Autorët mund të kenë pasur bashkëpunëtorë nga brenda bankës, pasi në momentin e grabitjes nuk ka funksionuar sistemi i alarmit të kasafortës.
Si ndodhi grabitja e bankës. Dy pistat e policisë
Ekspertë të fushës, pas këqyrjes në vendin, ku ndodhi grabitja, kanë dalë në versionin se persona të paidentifikuar kanë mundur të çajnë murin e bankës, duke hyrë nga një lokal që ndodhet në katin e nëndheshëm në të njëjtin objekt, ku ndodhen zyrtar e bankës. Policia dyshon se autorët kanë nisur punën e tyre në lokalin e nëndheshëm që prej ditës së premte pasdite, kur bankat e nivelit të dytë mbyllin zyrtarisht punën dhe fundjava është pushim. Autorët kanë çarë murin duke mbërritur deri tek kasaforta prej çeliku. Ata mund të kenë përdorur sende të forta si: dalta, çekiçë, apo edhe mjete prerëse dhe salduese me nxehtësi, për të hapur kasafortën. Blutë e Tiranës kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të hedhur më shumë dritë për këtë ngjarje. Dyshimet janë se personat mund të kenë pasur bashkëpunëtorë nga punonjësit e bankës. Hetuesit kanë zbuluar se muri i bankës është çarë në një pjesë ku ai ka qenë thuajse tërësisht i amortizuar dhe se ishte tërësisht i kalbur.
Dy pistat/ Autorët dyshohet se kanë hyrë nga ambienti i nëndheshëm, i cili ndodhet poshtë bankës. Sipas policisë, autorët kanë hapur murin nga pjesa e brendshme e lokalit dhe kanë hyrë në dhomën ku ndodhet kasaforta e bankës. Pista e dytë në të cilën po hetohet është se grabitësit mund të kenë thyer murin e pasmë të bankës dhe kanë hyrë brenda nëpërmjet saj. Duket se fakti që kasaforta ka qenë e mbërthyer në beton e ka bërë të pamundur shkëputjen e saj. Autorët kanë përdorur mjete të rënda si dalta dhe çekiçë për shkëputjen e pjesës së ngjitur në mur, por nuk ia kanë dalë.
Nuk funksionoi sistemi i sigurisë së kasafortës
Ajo që vë pikëpyetje është se sistemi i alarmit ka qenë në gjumë dhe nuk ka funksionuar. Lirshmëria dhe komoditeti i grabitësve, vë në dyshim se ata mund të kenë pasur bashkëpunëtorë punonjës të bankës, të cilët kanë çaktivizuar alarmin dhe kanë qenë pjesë e grupit grabitës.
Dëshmia e administratorit të pallatit
Bodrumi i pallatit nga ku grabitësit arritën të depërtojnë në kasafortën e një banke e nivelit, dikur ishte përdorur si PUB, por kishte 8-9 vjet që ishte shitur. Administratori i pallatit është shprehur se prej tre muajsh është marrë me qira nga një biznesmen, i cili ende nuk e ka vënë në përdorim. Ai shton se ka kaluar rreth 8-9 vjet, që është shitur. Administratori shton se: “Para tre muajsh është dhënë me qira, është paguar një kapar dhe asgjë më shumë”. I pyetur se kush e ka marrë me qira? Ai përgjigjet se: ” Një zotëri nuk e di si e ka emrin, një Fran Fran, një biznesmen i nderuar me sa di unë”. Por për çfarë do t’u përdorte ambienti, ai pohon se do t’u bënte një tip magazine”.
KOHA JONË SONDAZH

