Grabitja e 7.5 mln lekë, zbulohen detaje mbi autorët dhe skemën
Grabitja e 7.5 milionë lekëve në Durrës, që i përkisnin Drejtorisë së Transportit Rrugor, i ka kushtuar shtrenjtë dy policëve të kompanisë private që kryente shoqërimin e autoblindës, me të cilën transportoheshin paratë. Gjykata e Durrësit i ka lënë në burg dy policët privatë pasi ata akuzohen për ”shpërdorim detyre” në grabitjen e parave që ndodhi mbrëmjen e 14 dhjetorit në zonën e Shkozetit.
Dy rojet e sigurisë private u lanë në burg dje, ndërsa ende asnjëri nga autorët e grabitjes së lekëve të Drejtorisë së Patentave nuk është arrestuar. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dy nga tre grabitësit nuk janë nga Durrësi. Ata dyshohet se janë nga Laçi ose Miloti, ndërsa grabitjen e kryen me bashkëpunëtorë nga Durrësi.
Nisur nga skema, burime nga hetimet pohojnë se është e njëjta me atë të grabitjes së disa argjendarive në vitet e fundit në këtë qytet por edhe një kambisti. Autorët kanë përdorur një makinë me targa false, ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk janë identifikuar, pasi kanë qenë të maskuar.
Makina e blinduar e një firme private sigurimi po transportonte paratë e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë në momentin që autorët i bënë pritë duke e grabitur. Dy policët privatë që shoqëronin furgonin akuzohen se nuk kanë marrë masat për të ruajtur paratë. Grabitja në Durrës u realizua nga dy persona të maskuar që i prenë rrugën autoblindës me para dhe nën kërcënimin e armëve neutralizuan policët e kompanisë private, duke marrë të gjithë shumën e parave që gjendej në makinë.
KOHA JONË SONDAZH

