Grabitja e kambistit, policia gjen makinën

 

Policia ka mundur të gjejë makinën e grabitur të kambistit Cen Hyseni, e cila duket është braktisur nga personat me maska që një ditë më parë i morën 61 vjecarit nën kërcënimin e armëve automjetin dhe një shumë parash prej 100 mijë euro.

Policia shpreson që brenda makinës të gjejë gjurmë të autorëve të krimit, të cilat më pas do të mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Kambisti 61-vjeçar, Cen Hyseni, i cili u dhunua dhe u grabit nga dy persona të maskuar mesditën e djeshme në afërsi të Rinasit, tregon detajet e ngjarjes dhe dyshimet e tij rreth autorëve.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, pak minuta pasi kishte përfunduar dëshminë e tij në Komisariatin e Fushë-Krujës, kambisti shprehet se kishte edhe një pistoletë me vete, të cilën e mbante me leje, por nuk ka pasur mundësi në asnjë moment që ta përdorte.

“Njëri nga autorët më goditi në kokë me tytën e automatikut. Pasi u gjakosa, e kuptova se nuk kisha asnjë mundësi të shpëtoja paratë dhe thashë të dorëzohem të paktën të shpëtoja vetë. Por nuk më lanë mundësi as që të zbrisja vetë nga makina, pasi më tërhoqën me forcë dhe më zbritën në tokë”, tregon 61-vjeçari.

Ndërsa kur e pyesim nëse ka ndonjë dyshim rreth autorëve të grabitjes, ai thotë se nuk i ka parë pasi ishin të maskuar, madje hedh dyshime se mund të jenë afër tij edhe në momentin që ne po flisnim me të.

SHKARKO APP