Grabitja, gruaja e këngëtarit: Na zgjuan me pistoletë në kokë
Banesa e këngëtarit të njohur të muzikës popullore, Zef Beka u grabit gjatë natës nga persona të armatosur dhe të maskuar, ngjarje e ndodhur rreth orës 01:20. Ata kanë shfrytëzuar mbrëmjen kur i zoti i shtëpisë ndodhej në një dasmë, për t’u futur në shtëpinë e tij që ndodhet në Ishull Shëngjin. Bashkëshortja e Bekës dhe fëmijët kanë qenë në gjumë në momentin që grabitësit janë futur, por janë zgjuar të tmerruar me armën te koka. “Duam paratë! Shpejt paratë!”.
Kjo ka qenë kërkesa e personave të maskuar ndaj zonjës së shtëpisë, Mira Bekës, e cila përballë tyre është dorëzuar. Ajo nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër, pasi autorët mund të qëllonin E gjendur në këto kushte, ajo u ka dorëzuar me duart e saj një shumë prej 15 milionë lekësh të vjetër autorëve. Shuma ka qenë e majme për ta, por nuk janë mjaftuar, duke i kërkuar edhe çelësat e makinës “Golf 5”, që ndodhej në oborrin e shtëpisë. E tmerruar, nëna e tre fëmijëve është detyruar sërish të bindet dhe t’u dorëzojë atyre edhe çelësat.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore, ky mjet është lokalizuar dhe po ndiqej nga Policia, por autorët e dyshuar, të gjendur nën presionin e ndjekjes, kanë braktisur mjetin. I cili është gjetur i rrëzuar në një kanal anës rrugës dhe autorët e dyshuar janë larguar, duke përfituar nga errësira”, bëri të ditur Policia.
Blutë kanë shoqëruar disa persona, si dhe janë sekuestruar disa sende në cilësinë e provave materiale. Ndërsa Mira Beka, e kontaktuar nga “Panorama”, rrëfeu tmerrin që ajo dhe fëmijët e saj kanë përjetuar.
***
Znj.Beka, si ndodhi ngjarja?
Isha në gjumë kur autorët janë futur brenda në shtëpi. Unë ndodhesha vetëm me tre fëmijët e mi, që janë 13, 11 dhe 2 vjeç. Kisha dhe prindërit mi këtu, që janë të moshuar. Ndërsa bashkëshorti im, Zefi, ishte i ftuar në një dasmë dhe nuk ndodhej në shtëpi. Nuk e kisha menduar kurrë se unë do të jepja një intervistë për mediat, aq më tepër për një ngjarje të tillë. Por ja që ndodhi.
Policia njoftoi se ishin tre persona dhe se ju kanë dhunuar…?
Po, ishin tre persona, të gjithë me maska dhe të armatosur. Jo, nuk na dhunuan, por na terrorizuan me armë te koka. kërkonin, donin paratë dhe çelësin e makinës sime, “Golf 5”. Nuk pata asnjë mundësi të manovroja, pasi ata kishin armë. Por të them të drejtën, në ato momente nuk po më binte shumë mendja të mbroja paratë, por jetët tona. Ata kërcënonin me armë dhe kërkonin me ngulm t’u dorëzoja paratë. Në këto kushte u detyrova t’u jepja lekët që kishim në banesë, 15 milionë të vjetër dhe çelësin e makinës.
Keni dhënë deklaratë në Polici? Keni ndonjë të dyshuar që mund të orientohet policia për t’i kapur?
Hajdutët dihet se kush janë këtu në këtë zonë…megjithatë unë kam pak shpresa të gjenden dhe të më kthehen paratë e mia. Siç të thashë, për momentin jam e tronditur dhe as nuk më shkon mendja fare tek ato para. Shyqyr që gjithçka përfundoi me kaq. Fëmijët e mi janë tmerruar Ju thatë se bashkëshorti juaj, Zeⰶ⡥, nuk ndodhej në banesë.
Pra, autorët, në njëfarë mënyrë, kanë qenë në dijeni të këtij fakti…?
Autorët normalisht që kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve të Zefit. Ata na u futën në shtëpi, kur bashkëshorti nuk ndodhej këtu. Siç ta thashë, Zefi ishte në një dasmë.
KOHA JONË SONDAZH

