Grabitja në Rinas, Veselit i kërkohet ADN-ja

Prokuroria për Krimet e Rënda ka zgjatur me tre muaj afatin e hetimit për grabitjen e 9 prillit 2019 në Rinas, ku persona të armatosur dhe maskuar mundën të vjedhin gati 6 milionë euro brenda pistës së aeroportit.

Kërkesa për shtyrje të afatit është argumentuar nga prokurorët me nevojën e kohës shtesë për kryerjen e disa veprimeve hetimore, mes të cilave analiza krahasuese të gjurmëve të ADN-së të gjetura në furgonin e grabitësve me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, si edhe analizimi i të gjithë tabulateve telefonike të personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Për llogari të këtij hetimi, gjykata ka lejuar pak ditë më parë prokurorinë t’i marrë një profil gjenetik të paraburgosurit Oltion Veseli, për analiza ADN-je. Në seancat e kaluara, ai ka kundështuar të japë mostër pështyme, me pretendimin se i është marrë një e tillë në polici menjëherë pas arrestimit. Policia ka arrestuar 7 persona për grabitjen e 9 prillit në Rinas dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, mes të cilëve edhe 31-vjeçari Klement Çala. Një prej autorëve të grabitjes, Admir Murataj, mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

SHKARKO APP