Grabitje spektakolare në Muzeun e Luvrit – zhduken bizhuteritë e Napoleonit

Një grabitje e guximshme është regjistruar mëngjesin e sotëm në Muzeun e Luvrit në kryeqytetin francez, duke tronditur opinionin publik në Francë dhe mbarë botën.

Lajmi është konfirmuar nga ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, e cila ndodhet në vendngjarje.

“Një grabitje ndodhi sot në mëngjes, në hapje të muzeut të Luvrit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Jam në vendngjarje së bashku me stafin e muzeut dhe policinë. Hetimet janë në vijim,” – deklaroi Dati në një postim në rrjetet sociale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas të përditshmes Le Parisien, tre autorë të maskuar kanë hyrë në muze nga ana e lumit Sena, ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi. Ata kanë shfrytëzuar një ashensor teknik për të depërtuar direkt në galerinë e bizhuterive perandorake franceze.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pasi kanë thyer xhamin e sigurisë, dy prej tyre kanë hyrë brenda, ndërsa i treti ka qëndruar jashtë si roje. Grabitësit kanë marrë nëntë objekte të çmuara nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan diamanti, një karficë ari dhe një kurorë të dekoruar me gurë të rrallë.

Burime nga stafi i muzeut kanë bërë të ditur se diamanti legjendar “Régent”, më i famshmi i koleksionit dhe një nga diamantet më të mëdha në botë me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja.

Policia franceze ka rrethuar zonën dhe ka nisur një operacion të gjerë hetimor, ndërsa vlera e objekteve të vjedhura nuk është bërë ende publike. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po ndjekin disa pista të mundshme që lidhen me rrjete ndërkombëtare të tregtisë së artit të vjedhur.

Muzeu i Luvrit është mbyllur përkohësisht për vizitorët, ndërsa autoritetet kanë rritur nivelin e sigurisë në institucionet muzeale të Parisit.

Me rreth 9 milionë vizitorë në vitin 2024, 80 për qind prej tyre turistë të huaj, Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë dhe një simbol i trashëgimisë kulturore franceze – i cili sot është tronditur nga një nga grabitjet më të guximshme të dekadës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?