Gracka e butë për Gazmend Bardhin

Nga Ylli Pata

Nuk ka asnjë çudi nëse në Kuvend do të shikojmë Flamur Nokën apo Edi Palokën që të ndalojnë deputetët të flasin apo marrin kartat magnetike. Kjo ka ndodhur që prej 10 vjetësh, jo vetëm pas ndëshkimit të Sali Berishës nga SHBA e Britania e Madhe. Madje, me shpalljen e tij të pandehur, pritej edhe më shumë. Nëse ndiqen rrjetet sociale të ndjekësve të Sali Berishës ata u thonë njerëzve që flasin apo shkruajnë që jemi ngopur me fjalë duam veprime.

E tek veprimet pritet ajo që ata thanë: protesta e mosbindje civile. Nuk është aspak surprizë. Siç nuk është surprizë që ishte e pritshme prishja e punimeve të Kuvendit. Është një skenar tashmë i parë. Por faktikisht ajo që ndodhi sot, dukej me keq se kaq. Një skenar i lejuar, i provokuar, sidomos, kur me një vendim krejt jo normal u rrëzua vendimi i përjashtimit të 23 deputetëve që kishin thyer rregullat parlamentare.

E sot, këta deputetë, i thyen sërish rregullat parlamentare; duke rënë një grackë më shumë teatrale sesa reale. Sot Kuvendi kishte një axhendë diskutimesh të deputetëve. Prak u secili deputet mund të flasë për problemet e zgjedhësve. Pra një fushë të lirë. Ku mund të shprehë lirisht mendimet, qëndrimet, e pikëpamjet e tij.

E sikur deputetët e foltores ta shfrytëzonin këtë hapësirë për të folur atë që pritej, pra të thonin çdo gjë të pritshme e të parpitshme për Sali Berishën i pandehur, nuk do merrej për keq. Sepse e kishin mundësinë parlamentare për ta bërë. Por Sali Berishës nuk i leverdiste kjo, ai nuk dëshiron njerëz që ta mbrojnë.

Ai kërkon që të tregojë se është faktor që mund të ndryshojë axhendë, mund të destabilizoje, të lëvizë punimet e Kuvendit, madje t’i bëjë të pamundura zhvillimet e Kuvendit. E mazhoranca, me dinakëri, kishte lënë sot një axhendë diskutimesh të lira, në të cilat si Berisha, ashtu edhe pasuesit e tij mund të flisnin lirshëm, natyrisht në minutazhin e përcaktuar.

Berisha donte teatër, e në këtë teatër ai kishte një aktor të ri, Gazment Bardhin, i cili sot ishte një koleg i Flamur Nokës e Edi Palokës. Ishte një grackë e butë për të, ku u pa qartë se ai nuk është më një përfaqësues i PD-së, por një zëdhënës i ri i foltores. Por në këtë aspekt ka mjaft konkurrencë e në ditët që vijojnë do të shikojmë zhvillime të tjera.

SHKARKO APP