Gramoz Ruçi: Kuvendi vijon punën online

Edhe pse institucionet dhe puna në vend është kufizuar shumë si masë për të parandaluar përhapjen e Covid-19, Qeveria dhe Kuvendi është në punë. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përmes një deklarate të shpërndarë për mediet, shprehet se kombi nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e mjekëve, infermierëve, policëve dhe ushtarëve në këto ditë të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe njerëzimin. Sa i përket punës së komisioneve të Kuvendit, ai thotë se po vijon online.

Deklarata e plotë

Rreziku që i kanoset jetës së qytetarëve shqiptarë dhe gjithë njerëzimit nga koronavirusi, na ka bërë më të bashkuar e solidarë me njeri-tjetrin, edhe pse në distancë sociale. Por distanca fizike ka shkurtuar distancën shpirtërore e njerëzore.

Shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit dhe timen personale për mjekët, infermierët dhe personelin që shërbejnë me vetëmohim në vijën e parë të zjarrit dhe shpëtojnë jetët e njerëzve si edhe për punonjësit e policisë dhe pjesëtarët e forcave të armatosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 30 mjekët shqiptarë që nisën dje shërbimin në spitalet italiane u bënë mesagjerë të humanizmit shqiptar, dallëndyshet që lajmërojnë fitoren e jetës.

Ata iu bashkuan qindra mjekëve shqiptarë që kontribuojnë me përkushtim në mjaft vende të botës, në të pesë kontinentet dhe lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Kombi nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e mjekëve, infermierëve, policëve dhe ushtarëve të tij në këto ditë të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe njerëzimin. Deputetët dhe komisionet e Kuvendit, pavarësisht kushteve të imponuara nga COVID-19, vazhdojnë të punojnë online dhe njëkohësisht të kujdesen për qytetarët në nevojë. Të gjithë qytetarët të zbatojmë rregullat e kësaj lufte dhe të kontribuojmë në mbrojtjen e jetëve.

SHKARKO APP