Greqi, Parlamenti miraton paketën e shpëtimit

Parlamenti grek miratoi të premten paketën e reformave të ashpra propozuar nga qeveria Tsipras në minutat e fundit, që do të përdoret si bazë për negociatat me kreditorët mbi një program të ri ndihme.

Në një deklaratë të lëshuar gjatë natës, Kryeministri grek Aleksis Tsipras tha se mbështetja e deputetëve i dha atij një “mandat të fortë për të përfunduar negociatat dhe për të arritur një marrëveshje të drejtë shoqërore dhe ekonomikisht të qëndrueshme.”

“Prioritet tani është që të ketë një rezultat pozitiv për negociatat. Çdo gjë tjetër në kohën e vet,” tha ai.

Përpara votimit, Kryeministri grek u tha parlamentarëve se ata kishin një “detyrë kombëtare për të mbajtur gjallë popullin e tyre.”

“Ne do të kemi sukses, jo vetëm për të qëndruar në Evropë, por për të jetuar si të barabartë me kolegët tanë, me dinjitet dhe krenari”, tha Tsipras.

Ai pranoi se propozimet e paraqitura kreditorëve ishin “larg nga premtimet” e bëra gjatë fushatës së tij zgjedhore kundër masave shtrënguese, por shtoi se ato ishin “pak më mirë” se propozimet e paraqitura nga kreditorët para referendumit.

Paketa më e fundit për reforma është tepër e ngjashme me kushtet që grekët refuzuan në referendum të dielën e kaluar, duke zemëruar kështu anëtarët e plaftformës së majtë brenda partisë Syriza.

Pesë prej tyre nënshkruan një letër ku thuhej se do të ishte më mirë të rikthehej dhrahmia, se sa të pranonin masa të mëtejshme shtrënguese pa marrë falje të borxhit.

SHKARKO APP