Greqia, tani e tutje burg përjetë po të kapi me drogë

Për shtetasit shqiptarë që kanë ndërmend të trafikojnë lëndë narkotike drejt Greqisë vjen një “lajm i keq”, pasi është ashpërsuar në maksimumi Kodi Penal për këtë vepër.

Sipas Kodit të ri, trafikantët që kapen me drogë, vlera e së cilës është më shumë se 75 mijë euro, do të dënohen me burgim të përjetshëm.

Ky është vendimi i marrë nga Gjykata e Lartë në Greqi dhe duket se ka një arsye për marrjen e kësaj mase ekstreme. Sipas specialistëve, kjo nismë gati në kufijtë ekstremë, vjen edhe pas fluksit të madh të drogës që hyn në Greqi nga Shqipëria.

Nga ky ligj i ri preken shumë, pasi pavarësisht llojit të drogës dhe numrit të të arrestuarve në operacion, burgimit të përjetshëm nuk i shpëton askush që kapet me lëndë narkotike me mbi 75 mijë euro vlerë.

E thënë më thjesht, nëse një person kapet duke transportuar qoftë edhe 25 kilogramë kanabis drejt Greqisë, tani e në vazhdim, pritet që të dënohet me burgim të përjetshëm.

Jo të pakta janë edhe rastet kur policia greke godet grupe kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike, ku një problem i madh sipas specialistëve të policisë greke është edhe trafiku i narkotikëve, që si vendburim ka Shqipërinë.

Nëpërmjet kufirit tokësor dhe detar drejt Greqisë kanë kaluar tonelata me drogë, ndërsa edhe një numër i madh shtetasish tanë vuajnë aktualisht dënimet në burgjet greke për akuzën e trafikut të narkotikëve.

Ligji i mëparshëm parashikonte maksimalisht deri në 20 vite burgim nëse trafiku ishte organizuar apo dhe në sasi të madhe.

Ndërsa tashmë duket se nuk do ketë tolerim. Kjo masë ekstreme merret edhe për shkak se një numër i madh i të dënuarve janë në qeli për këtë vepër penale dhe si masë shtrënguese që mund të ulte tentativën për trafik të narkotikëve është edhe dënimi me burgim të përjetshëm.

Sasi të mëdha të llojeve të ndryshme të drogave, përfshirë heroinë dhe kokainë, janë sekuestruar muajt e fundit në Greqi. Nëse llojet e drogave të rënda kalojnë edhe më shumë nga vende të tjera fqinje, në lidhje me hashashin tregu kryesor i Greqisë ishte Shqipëria.

Trafikantët përdornin metoda të ndryshme që të kalonin sasi të madhe, sidomos duke përfituar nga mbiprodhimi i zonës së Lazaratit, që ishte afër me kufirin grek. Ajo transportohej kryesisht me kamionë të ndryshëm frigoriferikë, ose nëpërmjet linjave të autobusëve.

Ndërsa për të pasur efikasitet sa më të madh, përdoreshin edhe forma të tjera me gomone nga deti dhe deri në transportin me mushka ose në krahë ku kalonin kufirin tokësor në mënyrë ilegale.

Ndonëse policia greke ka pasur mjaft raste të kapjes së drogës që vinte nga Shqipëria, përsëri një sasi shumë e madhe arrinte që të përfundonte në duart e grupeve të ndryshme kriminale, kjo edhe me përfshirjen e gjerë edhe të rrjeteve të trafikut që kontrollohej nga grekët.

Tashmë me miratimin e ligjit të ri do të jetë një frikë e madhe për të marrë aventurën e rrezikshme të kalimit të drogës drejt Greqisë, pasi rrezikohet jo pak, por të kalojnë gjithë jetën në qeli.

Ekspertët parashikojnë që kjo masë ekstreme do të ulë ndjeshëm trafikun e narkotikëve, por njëkohësisht mund të çojë edhe në përdorimin e metodave të ndryshme që droga të trafikohet në sasi të vogla që të mos i kalojë 75 mijë euro.

SHKARKO APP