Grida Duma: Qeveria i ka bërë shqiptarëve një dëm të lartë mendor!
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma është shprehur me kritika ndaj mënyrës së menaxhimit të situatës së pandemisë nga qeveria. Nga foltorja e Kuvendit, Duma tha se qeveria flet vetëm për arritje dhe propagandë dhe nuk përmend asnjëherë problematikat që hasin.
Demokratja shprehet se shqiptarët që marrin vetëm 240 euro pagë minimale, paguajnë 72 mln euro nga xhepi i tyre për atë që mazhoranca e konsideron “shëndetësia falas”.
“Sot flasim këtu për dozat e vaksinave, sa doza do vijnë; me sa do të blihen; erdhën vonë apo herët; ndërsa nuk flasim për overdozën; Overdozën e depresionit, nga lodhja e rropatja, pasiguria, varfëria për shqiptarët. Jemi në një Overdozë të një regjimi frenetik depresioni. Nëse do ta shihnim si tablo gjendjen e shqiptarëve sot, imazh do ishte një një vend ku ka rënnë bomba e kaosit dhe njerëzit me kokat e zhytura në renë e zezë të depresionit lëvizin pa rend pa kohë pa system. Përplasen, rrëzohen ngrihen të dëmtuar e lëvizin kuturu ti dalë ku të di dalë.
Në këtë kaos, në këtë vend ku brenda një viti krejt papritur mungojnë në shkolla 11 500 fëmijë, ku në pak vite mijëra mjekë dhe infermierë që lënë Shqipërinë, ndërsa shqiptarët me rrogë minimale 240 euro e mesatare 450 euro paguajnë 72 milion eruo nga xhepat për shëndetësinë”, shprehet Duma.
Duke iu referuar kushteve të spitaleve në vend, Duma thotë se qeveria përveç dëmit fizik, i ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm të lartë mendor.
“E mbani mend kur doli Rama, Kryeministri i vendit dhe përdori dozat e vaksinës për të mbuluar një skandal alla “nusret”; dëmton dhe besimin tek vaksina. Ju kujtohet shkoi të merrte në aeroport me çanta dore ca qindra vaksina që s’dihej nga vinin dhe që vendi dhurues donte të ishte anonim. ; çmenduri! Do ishte normale të dilnit këtu e të thonit disa probleme sa për të treguar që jetoni në këtë realitet, por e vërteta për ju është që nuk jetoni në normalitet,” – tha Grida Duma.